Shkolla e Oficerëve e Akademisë së Mbrojtjes ka nisur një hap të rëndësishëm në ngritjen e profesionalizmit të ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në kuadër të planit për avancimin dhe ngritjen e kapaciteteve të edukimit dhe shkollimit, për herë të parë është realizuar Kursi i Karrierës për Kapiten. Ky kurs ka për qëllim të zhvillojë njohuritë e nevojshme për udhëheqje në nivel kompanie, duke u fokusuar në aftësitë taktike, teknike dhe të udhëheqjes.

Ky kurs ngrit nivelin e njohurive dhe aftësive të oficerëve duke i përgatitur ata për rolin e udhëheqësve në nivele më të larta komanduese. Kursi fokusohet në zhvillimin e aftësive të udhëheqjes, planifikimin strategjik, menaxhimin e burimeve njerëzore, njohuritë e fundit në teknologjinë ushtarake dhe aplikimin e saj në operacione bashkëpunimi me forca të tjera në operacione të përbashkëta.

Pas suksesit të Kursit Bazik për Oficer të Këmbësorisë, ky kurs i ri është një hap tjetër i rëndësishëm drejt përmbushjes së qëllimeve dhe objektivave të Komandantit të FSK-së për ngritjen e kapaciteteve të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.