Në këtë garë morën pjesë gjithsej 118 ekipe, prej tyre 35 ndërkombëtare nga 33 shtete të ndryshme të botës. Ekipi i FSK-së, pjesë e Regjimentit të Dytë të Këmbësorisë të Komandës së Forcave Tokësore, tregoi angazhim të jashtëzakonshëm dhe profesionalizëm të lartë, duke u renditur mes më të mirëve dhe duke u shpërblyer me medaljen e Argjendtë.

Një nga garat më sfiduese ushtarake në botë

“Cambrian Patrol” konsiderohet si një nga garat më të vështira dhe sfiduese në botë, ku pjesëmarrësit përballen me një sërë detyrash të ndërlikuara ushtarake. Ato përfshijnë përgatitje taktike, operacione mjekësore, përballje me rreziqe CBRN, rikonicion, sulme, eksplozivë dhe fusha të minuara, kalim të pengesave ujore, objektiva artilerie fushore, si dhe menaxhim të situatave të burgosurve.

Ekipi i FSK-së dëshmoi aftësi të larta në të gjitha këto sfida, duke u bërë krenari për institucionet e sigurisë së Kosovës. Çmimet për ekipet pjesëmarrëse u ndanë nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar, Gjeneral Sir Roly Walker. Nga FSK, në ceremoninë e ndarjes së medaljeve ishin të pranishëm Atasheu i Mbrojtjes, Kolonel Agron Bajrami, Komandanti i Regjimentit të Dytë të Këmbësorisë, Nënkolonel Jaser Mulla, dhe Rreshter majori Komandues, Fehmi Lulaj.

Urimi nga Ambasada e Britanisë në Kosovë

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka përgëzuar ekipin e FSK-së për arritjen, duke e cilësuar një sukses të madh për vendin. “Është krenari mbështetja e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në pjesëmarrjen në prestigjiozen Cambrian Patrol, një nga stërvitjet më të vështira ushtarake në botë”, thuhet në urim.

Tutje, Ambasada theksoi se kjo përvojë e vlefshme do të ndihmojë në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës. “Pjesëmarrja e ekipit të FSK-së pasqyron profesionalizmin dhe angazhimin e tyre në rritje për përsosmëri, dhe jemi të kënaqur kur i shohim ata të përfaqësojnë Kosovën në një skenë kaq kërkuese globale”, përfundon reagimi i ambasadës.