Forumi për Investime të Qëndrueshme, Kurti: Kosova e përkushtuar ndaj dekarbonizimit
Në Forumin e mbajtur për Investime të Qëndrueshme, përfaqësues të lartë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare diskutuan rëndësinë e investimeve që nxisin një të ardhme të gjelbër dhe ekonomikisht të qëndrueshme për Kosovën, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në fjalën e tij theksoi sfidën e dyfishtë me të cilën përballet Kosova: sigurimin e energjisë së sotme dhe përgatitjen për një të ardhme të pastër dhe të qëndrueshme. Ai u shpreh se pavarësisht varësisë aktuale nga thëngjilli, Kosova është e vendosur të ecë drejt dekarbonizimit dhe energjisë së ripërtëritshme, duke përfshirë rinovimin e termocentralit kryesor dhe liberalizimin e tregut të energjisë.
“E përgëzojmë Këshillin e Investitorëve Evropianë, ProCredit Bank dhe të gjithë partnerët e përfshirë për organizimin e këtij forumi në një kohë kur qëndrueshmëria është bërë më shumë se një përparësi, është një kusht për siguri afatgjatë, konkurrueshmëri dhe qëndrueshmëri ekonomike,” tha Kurti.
Ai shtoi se Qeveria është e vendosur të ndjekë agjendën e dekarbonizimit të Evropës, duke filluar me rinovimin e termocentralit me thëngjill, përmirësimin e efikasitetit dhe uljen e emetimeve, si dhe duke u përgatitur për një kalim më të gjerë drejt burimeve të ripërtëritshme dhe infrastrukturës së mençur. Kurti përmendi edhe liberalizimin e tregut të energjisë elektrike dhe mbështetjen e synuar për prodhuesit vendorë për t’u përshtatur me këtë tranzicion.
Kryeministri theksoi rolin kyç të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) në ekonominë e Kosovës dhe nevojën për t’i mbështetur ato në tranzicionin e gjelbër, duke i shndërruar sfidat në avantazhe konkurruese.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, theksoi rëndësinë e krijimit të një mjedisi të qëndrueshëm ekonomik dhe politik për të tërhequr investime të huaja cilësore, duke marrë parasysh faktorë si ndikimi mjedisor, lëvizshmëria e punëtorëve dhe shëndetësia. Ai inkurajoi autoritetet të ofrojnë stimuj për bizneset në kalimin drejt praktikave më të gjelbra dhe theksoi nevojën për një parlament funksional dhe progres në dialogun Kosovë-Serbi, duke kërkuar heqjen e taksave ndaj produkteve serbe.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, paralajmëroi për rreziqet në rritje nga ndryshimet klimatike dhe bëri thirrje për një rol më aktiv të institucioneve financiare në menaxhimin e këtyre rreziqeve dhe mbështetjen e tranzicionit drejt një ekonomie të gjelbër.