Fondacioni Golden Eagle investon 1 milion euro për fabrikën e letrës, do të punësohen dhjetëra persona me nevoja të veçanta

14.07.2021

Fondacioni Golden Eagle ka nisur ndërtimin e fabrikës së letrës në të cilën do të punësohen persona me nevoja të veçanta. Pronar i kompanisë Frutex dhe Fondacionit Golden Eagle, që është financues i këtij projekti me 1 milion euro, Shaqir Palushi tha se kjo fabrikë fillimisht do t’i punësoj 30 persona, por që do të […]

Fondacioni Golden Eagle investon 1 milion euro për fabrikën e letrës, do të punësohen dhjetëra persona me nevoja të veçanta Foto: Ilustrim

Fondacioni Golden Eagle ka nisur ndërtimin e fabrikës së letrës në të cilën do të punësohen persona me nevoja të veçanta.

Pronar i kompanisë Frutex dhe Fondacionit Golden Eagle, që është financues i këtij projekti me 1 milion euro, Shaqir Palushi tha se kjo fabrikë fillimisht do t’i punësoj 30 persona, por që do të rritet gjatë viteve.

“Ky objekt që po prezantohet sot, do të jetë fabrikë për ambalazhe nga letra ku do të punësohen punëtorët me nevoja të veçanta, pra do të jetë ndërmarrje sociale. Projekti do të jetë model unik, për të treguar se si këta persona mund të janë punëtorë të mirë, mund të janë menaxherë të mirë, por nuk mund të janë barrë për familjet e tyre, sepse e duan të drejtën e tyre për të qenë të punësuar. Kjo fabrikë do të kushtoj rreth 1 milion euro dhe mjetet do të investohen nga fabrika Frutex, ku janë ndarë 5 cent për çdo produkt të shitur”, tha Palushi.

Për përfaqësuesin e HANDIKOS-it, Afrim Maliqi ndërtimi i kësaj fabrike do të kontribuoj për vetëdijesimin e institucioneve që t’i përfshijnë këta persona në punësim.

“Fabrika e sotme që po niset nuk do të ndikoj vetëm për mirëqenien e personave me aftësi të veçanta, por do të kontribuoj edhe për vetëdijesimin e institucioneve tjera që t’i përfshijnë këta persona në punësim dhe t’i përfshijë në mënyrën më të mirë të mundshme duke i treguar ata vlerat në pozitat apo funksionet që ata mund t’i kryejnë”, është shprehur Maliqi.

Ndërsa, kryetari Lipjanit, Imri Ahmeti, komunë në të cilën po ndërtohet fabrika tha se kompania do ta ketë mbështetjen për të lehtësuar të gjitha procedurat e nevojshme për të filluar punën.

“Përveç që është specifike, në Lipjan po ndodh një invazion i investimeve. Kompania do ta ketë mbështetjen tonë për të lehtësuar të gjitha procedurat e nevojshme për të filluar punën. Për ne është mjaftë domethënëse ku specifikisht është e përcaktuar për personat me nevoja të veçanta”, përfundoi Ahmeti.

Ky Fondacion, për ndërtimin e fabrikës do të investoj 5 centë të ndarë për çdo produkt të shitur nga kompania Frutex.