Fillon Pilot Regjistrimi i popullsisë në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka filluar punën në terren për Pilot Regjistrimin e Popullsisë, që nga 15 shtatori deri më 14 tetor 2020.

Çështja e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë 2021, konsiderohet me prioritet të lartë në agjendën shtetërore të Kosovës.

Regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë i paraprin realizimi i Pilot Regjistrimit, me qëllim të testimit të tërë procesit organizativ e zbatues.

Me qëllim të testimit të shumë aktiviteteve dhe instrumenteve, bazuar në praktikat e mëparshme, si dhe rekomandimet ndërkombëtare, ASK-ja ka planifikuar që ta realizoj një Pilot Regjistrim nga 15 shtatori deri më 14 tetor 2020 në 13 komuna: Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Graçanicë, Mitrovicë, Ferizaj, Gjilan, Ranilluk, Prizren, Dragash, Mamushë, Pejë, dhe Gjakovë.

ASK-ja ka bërë përgatitjet e duhura, për fillimit e zbatimit të Pilot Regjistrimit në terren, ku janë përgatitur pyetësorët, metodologjia, udhëzuesit, si dhe metoda e mbledhjes së të dhënave në terren (Medota CAPI -Computer Assisted Personal Interview).

Gjatë kësaj periudhe, sa është duke u realizuar mbledhja e të dhënave në terren, ASK-ja ka angazhuar rreth 60 regjistrues, 12 mbikëqyrës, dhe 19 monitorues, që duhet të jenë të mirëpritur nga ekonomitë familjare.

Ashtu si në çdo aktivitet të deritashëm, ASK-ja ka zbatuar rekomandimet e institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës, lidhur me aplikimin e masave mbrojtëse prej gjendjes së krijuar nga COVID-19.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.