Me ftesë të kryetarit të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj sot përfaqësues të lartë të institucioneve të Republikës së Kosovës janë mbledhur në Suharekë, konrektisht në fshatin Gjinoc.
Me rastin e fillimit të punimeve për ndërtimin e “Shtëpisë së Moshuarve” pjesmarrësit në këtë ceremoni ishin kryeministri Ramush Haradinaj, zv.kryeministri Enver Hoxhaj, përfaqësuesi i Jetimave të Ballkanit, humanisti, Halil Kastrati, ministri Palë Lekaj, ministra të tjerë, zv. ministra dhe deputetë.
Në fjalën e tij kryetari Muharremaj tha se kjo ditë nuk është e veçantë vetëm për Komunën e Suharekës por për të gjithë Kosovën ngase sot po fillojmë një objekt për ata që na lindën, na rritën dhe na shkolluan.

Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se një falënderim i veçanë i shkon Halil Kastratit dhe shoqatës së tij për rrugën që po bëjnë duke ndihmuar familjet pastrehë.
“Ne i falënderojmë të gjithë ata që do ta përkrahin ndërtimin e kësaj shtëpie të pleqve. Arian të pyeta më herët a do të këndosh ti a unë, dhe cili do që të këndojmë e ndreqim atmosferën, sepse kjo është një festë. Dua me përdor një shembull, por i lus mos të ma keqpërdorin mediat. Në Prishtinë janë nja dy çerdhe, janë shumë të çmuara, krejt Prishtina ka qejf me i dërguar fëmijët aty, edhe është shumë zor me vendos fëmijën aty. Bile kur shkon me dërguar fëmijën aty, thonë ‘po ta marrin fëmijën, nëse paguan edhe për një tjetër, për tanin dhe për një tjetër’. Kam dëgjuar se është rregull kjo. Mu po me duket se edhe këtu ka mu bë rreshti gjatë, sepse vendi i mirë, natyra e mirë, ndërtimi i mirë, njerëzit e mirë, koncepti i mirë. Si duket ka me u bë rreshti i gjatë se kush po vendoset i pari. Shpresoj shumë, që do të bashkohem shumë shpejt me inauguruar dhe këtu me gjet strehë njerëzit tanë, prindërit tanë, ata që kanë bë shumë për ne dhe për të cilët ne kurrë nuk kemi mu ndal me bë sa lypet”, tha kryeministri.
Ai është shprehur i kënaqur me mirëkuptimin që Muharremaj ka gjetur tek të gjitha përfaqësuesit e partive politike në Komunën e Suharekës për dhënien e tokës për Shtëpinë e Personave të Moshuar pa përkujdesjeje.

Në anën tjetër Halil Kastrati ka treguar se Jetimat e Ballkanit deri më tani kanë ndërtuar 400 shtëpi dhe deri në fund të këtij viti pritet që të përfundojnë edhe 400 të tjera.

Për shtëpinë e të moshuarëve Kastrati tha se një vend si ky do të ofrojë shërbim për personat e moshuar dhe se nuk do të ju mungojë asnjë kusht.