Fillojnë gjobat për mosrespektim të ligjit për vendosjen e flamujve

Sot gjatë inspektimeve të inspektoratit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, janë evidentuar parregullsi në hipermarketin “Viva fresh store” te Rrethi i Flamurit në Prishtinë për mos vendosjen e flamujve për origjinën e produkteve. Inspektorët me këtë rast kanë gjobitur operatorin në fjalë.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë se me qëllim të zbatimit të ligjit të konsumatorit, është kërkuar nga inspektorati i kësaj ministrie që të bëhen inspektime shtesë tek operatorët ekonomikë për vendosjen e flamujve për origjinën e produkteve.

Shala ka thënë se të gjithë operatorët që shkelin ligjin për vendosjen e flamujve, inspektorati do të ndërmarrë masat, të cilat janë të parapara me ligj.

Pas inspektimeve të inspektoratit ndaj operatorëve ekonomikë, Lulëzim Syla kryeinspektor në MTI, ka thënë se kanë inspektuar katër subjekte sot dhe një prej tyre nuk ka qenë në rregull për vendosjen e flamujve ashtu siç e përcakton ligji për konsumatorë.

“Ne kemi vizituar me përzgjedhjen e juaj katër subjekte ekonomike. Ne në tri subjekte kemi hasur që po e zbatojnë ligjin 100 për qind, ndërsa në një subjekt kemi hasur sipas raportit të inspektorëve të cilin ma kanë dhënë nuk ka qenë përgjegjëse dhe inspektorati i MTI-së do të marrë masa ndaj atij operatori ekonomik”, ka thënë Syla.

Hipermarketet e inspektuara sot kanë qenë “Maxi”, “Elkos”, “Albi mall” dhe “Viva Fresh Store”, ku te kjo e fundit janë gjetur parregullsi dhe ky operator ekonomik do të gjobitet, njofton KosovaPress.

RAPORTO