Faturat e larta të dhjetorit, mbi 1 mijë e 700 ankesa i shkuan KESCO’s

09.01.2024

Mbi 1 mijë e 700 ankesa i kanë shkuar deri tash KESCO’s, lidhur me faturat e larta të energjisë elektrike për muajin dhjetor. Përkthyer në përqindje, i bie 0.25 përqind e totalit të konsumatorëve që ka kjo kompani. Qytetarët po pretendojnë se faturat u kanë ardhur shumë më të larta, edhe pse kanë shpenzuar njëjtë […]

Faturat e larta të dhjetorit, mbi 1 mijë e 700 ankesa i shkuan KESCO’s Foto: © Hallka Marketing Agency

Mbi 1 mijë e 700 ankesa i kanë shkuar deri tash KESCO’s, lidhur me faturat e larta të energjisë elektrike për muajin dhjetor. Përkthyer në përqindje, i bie 0.25 përqind e totalit të konsumatorëve që ka kjo kompani. Qytetarët po pretendojnë se faturat u kanë ardhur shumë më të larta, edhe pse kanë shpenzuar njëjtë energji sikurse muajin parprak. Përveç te KESCO, ankesa kanë shkuar edhe në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë.

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike-KESCO po përballet me qindra ankesa të qytetarëve. Shkak janë bërë faturat e energjisë elektrike për muajin dhjetor.

Shumë konsumatorë janë ankuar se faturat e muajit të fundit u kanë ardhur shumë të larta, ndonëse thonë se kanë shpenzuar po aq energji sa muajin nëntor.

Zëdhënësja e KESCO’s, Margarita Rashiti i ka thënë se 0.25 përqind e konsumatorëve kanë paraqitur ankesë deri lidhur me faturën e fundit të energjisë elektrike, që i bie 1750 konsumatorë.

Sipas saj, pas sqarimeve që u janë ofruar, një pjesë e këtyre konsumatorëve nuk kanë vazhduar me ankesa me shkrim.

“Nga 700 mijë konsumatorë sa ka KESCO, vetëm 0.25% prej tyre kanë paraqitur ankesë lidhur me faturat e pranuara në muajin dhjetor. Një pjesë e tyre janë trajtuar nga zyrtarët përkatës të Departamentit për Shërbime me Konsumatorë, të cilët u kanë sqaruar shpenzimet e konsumit krahasuar me periudhat e ngjashme të viteve të kaluara, si dhe ndryshimet në tarifa. Si rezultat, një pjesë e këtyre konsumatorëve nuk e kanë parë të nevojshme të paraqesin tutje ankesë me shkrim”, ka deklaruar Rashiti.

Për këto ankesa, Rashiti thotë se disa kanë përfunduar se trajtuari e të tjerat do të trajtohen ditëve në vazhdim.

“Ndërkaq, nga ata që kanë proceduar me ankesë me shkrim, shumica e tyre kanë përfunduar kurse pjesa tjetër do të trajtohet gjatë ditëve në vijim konform afateve të përcaktuara në rregullën për Kërkesa dhe Ankesa në Sektorin e Energjisë”, thuhet në përgjigjen e Rashitit për Express.

Përveç ankesave në KESCO, disa qytetarë i janë drejtuar edhe Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Nga ky institucion i kanë thënë Gazetës Express se për faturat e muajit dhjetor, kanë pranuazr 57 ankesa.

“Në përputhje me Procedurën për zgjidhjen e ankesave në sektorin e Energjisë, të gjithë konsumatorët të cilët kanë ankesa në lidhje me shërbimet e ofruara nga furnizuesi apo operatorët e sistemit fillimisht duhet t’i paraqesin këto ankesa te furnizuesi përpara se të kërkojnë shqyrtim nga Rregullatori. Për sa i përket ankesave per faturat e fundit, ju informojmë se deri me sot janë pranuar 57 ankesa te konsumatorëve, te cilat janë referuar tek Furnizuesi. Çdo furnizues apo operator i sistemit është i detyruar t’u përgjigjet të gjitha ankesave të konsumatorëve, në mënyrë efikase dhe të drejtë”, thuhet në përgjigje.

Nga ZRRE deklarojnë se pasi konsumatorët të pranojnë përgjigjen nga KESCO, mund të vazhdojnë me ankesë në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Rregullatorit

“Pas pranimit të përgjigjes nga Furnizuesi, Konsumatorët mund të parashtrojnë ankesë në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Rregullatorit. ZRRE-ja do të shqyrtoj çdo ankesë të pranuar në përputhje me dispozitat që parashihen në Procedurën për zgjidhjen e ankesave në sektorin e energjisë”, kanë deklaruar nga ZRRE.

Se faturat kanë qenë më të larta në dhjetor, e kanë pranuar edhe nga KESCO.

Nga KESCO kanë thënë se rritja e vlerës se faturave në ketë muaj dimri është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht te konsumatorët që e përdorin energjinë elektrikë për ngrohje.

Në reagim ishte theksuar se konsumi i energjisë elektrike në vlerë më shumë se 800 kWh në muaj faturohet me tarifë më të lartë.

“ZRRE ka ndërtuar një strukturë tarifore të ndarë në blloqe shpenzuese. Kështu, nëse ju si konsumator familjar konsumoni deri në 800 kWh, atëherë i nënshtroheni vetëm dy blloqeve, ditën dhe natën, të cilat në dimër fillojnë nga ora 22:00 deri në orën 7:00. Gjatë ditës çmimi është 7.79 cent për kWh, ndërsa natën rreth 57 për qind më i lirë, pasi llogaritet me 3.34 cent për kWh. Megjithatë, çmimet ndryshojnë për konsum mbi 800 kWh. Nëse një konsumator konsumon 1600 kWh, atëherë pjesa deri në 800 kWh llogaritet me çmimet e lartpërmendura. Ndërsa pjesa e mësipërme llogaritet me 2 tarifa të tjera: ajo e larta gjatë ditës që shkon në 14.45 cent për kWh ose 85.5 për qind më shtrenjtë, dhe ajo e natës 6.81 cent për kWh ose gati 104 për qind më e shtrenjtë se shpenzimi nën 800 kWh”, thuhej tutje në njoftim.