Evropa përfshihet nga i nxehti, sfidë mbajtja e maskave në temperatura deri në 40 gradë

Është bërë e ditur se një valë e të nxehtit përfshiu Europën të premten, duke mos kursyer as Gjermaninë. Sipas meterologëve, këto ditë pritet që temperaturat të rriten deri në 40 gradë në disa zona, duke u shtuar vapën ekstreme paralajmërimeve shëndetësore në kontinentin që po i druhet një rishpërthimi të dytë të infektimeve me koronavirus.

Kërkesa për akullore dhe pijet freskuese ishte e madhe në Gjermani. Plazhet dhe klubet nga Hamburgu në Mynih pritet të tejmbushen me njerëz edhe gjatë fundjavës, ndërsa i nxehti do të vazhdojë.

Madrilenët nuk e patën të lehtë të përballonin temperaturat 40 gradë, ndërsa mbanin aksesorin më të përdorur të kësaj vere, maskën. Nga e enjtja, kur edhe nisi vala e të nxehtit, masa u bë e detyrueshme, shkruan AlbInfo.

“Fryma bëhet shumë e ngrohtë, dhe gjithashtu me syzet është shumë problem. Megjithatë kur mendon se është për të mbrojtur shëndetin, nuk ka zgjidhje tjetër përveçse ta mbash”, thotë spanjollja Anna Gonzales.

Temperaturat e larta janë pasojë e masave të ngrohta që vijnë nga kontinenti afrikan dhe sipas meteorologëve në Spanjë do të zgjasin deri të shtunën.

Më të prekura janë rajonet qendrore dhe veriore. Edhe parizienët u përballën më vështirësi në mbajtjen e maskës në temperaturat 40 gradë.  “Edhe pa maska është vështire të marrësh frymë, imagjino me to”, thonë aty.

Në Romë, ku termometri shënoi 39 gradë të premten, autoritetet u kërkuan të moshuarve dhe fëmijëve të mos dalin gjatë orëve të pikut. Agjencia meteorologjike zvicerane këshilloi qytetarët të pinë shumë ujë dhe të ushqehen shëndetshëm. 

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.