Ende s’dihet kur do t’i kthehen shkollës nxënësit në Kosovë

Pas dy ditësh, besimtarët myslimanë do të mund të kryejnë ritualet e tyre fetare në këtë xhami. Ata që e kanë pjesë të përditshme frekuentimin e xhamive do të kenë prapë një mundësi të tillë.

Pasi kanë kaluar muaj prej kur u mbyllën, lajmin për hapjen e tyre e ka dhënë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

E këtë të marte, edhe kishat ishin të zbrazëta.

Mirëpo, këtë të enjte orarit të zakonshëm kur besimtarët katolikë do të kryejnë lutjet, do t’i kthehet edhe Kisha Katolike Shën Ndou në Ulpianë.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se të gjitha institucionet fetare që do të hapen do të dezinfektohen.

Faik Hoti, zëdhënës në këtë ministri thotë se pjesëmarrësit në ceremonitë fetare do të duhet të respektojnë masat kundër përhapjes së virusit Covid -19, raporton T7.

Por, pas vendimit për hapjen e xhamive e të kishave, pati disa pakënaqësi.

Profesorë e njohës të fushës së arsimit, reaguan kryesisht në rrjete sociale duke kërkuar hapjen e shkollave.

Sipas tyre është e pakuptimtë që institucionet fetare të funksionalizohen e ato edukative të qëndrojnë të mbyllura.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, thonë se duhet plotësuar disa kritere para se vendimi për hapjen e shkollave të merret.

Ndërkohë, në këtë drejtim është duke punuar ministria e Arsimit Shkencës e Teknologjisë.

Zëvendës ministri i MASHT-it, Xhavit Rexhaj në një përgjigje për televizionin ka thënë se ende nuk ka një vendim konkret për datën dhe mënyrën e hapjes së shkollave.

Ndryshe, xhamitë dhe kishat ishin paraparë të hapeshin në fazën e dytë lehtësuese nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë në bashkëpunim me IKSHKP.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.