Policia e Kosovës ka konfirmuar se shpërthimi në një shtëpi në fshatin Zhur të Prizrenit, e që doli të jetë fatale për një polic, ka ndodhur gjatë kohës kur aty po kryhej bastisja në një rast për parandalim dhe zbulim të narkotikëve.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj, ka thënë se akoma s’dihen detajet e mjetit eksplodues.

SuharekaOnline ka kontaktuar me Policinë e Kosovës dhe deri më tani bëhet e ditur se një polic ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë të plagosur (emra të njohur për redaksinë).

“Ka qenë Njësiti i Specializuar i njësisë anti-drogë gjatë realizimit të një bastisjeje në një shtëpi në fshatin Zhur, për fat të keq gjatë bastisjes ka pas një eksplodim. Për momentin nuk dihen detajet e mjetit eksplodues. Për fat të keq, ka humbur jetën një koleg i yni, një polic profesionist dhe dy të tjerë janë lënduar. Me këtë rast, një fëmijë i familjes ku është kryer bastisja ka pësuar lëndime të lehta. Të lënduarit aktualisht janë në Spitalin e Prizrenit”, ka thënë ai teksa ka shtuar se sipas informatave aktuale, gjendja e të plagosurve është e qëndrueshme.