Eksperti i sigurisë vlerëson se masat kufizuese nuk duhet të largohen plotësisht më 4 maj

Ministria e Shëndetësisë më 15 prill vuri në fuqi masa të reja që përcaktojnë lëvizjen e qytetarëve, e ato janë paraparë të zgjasin deri më 4 maj.

Pas përfundimit të tyre, institucionet përgjegjëse për shëndetin e qytetarëve, vlerësojnë se cilat veprime duhet të ndërmirren.

Por ekspertë të sigurisë në Kosovë, po vlerësojnë që masat kufizuese duhet të vazhdojnë edhe pas 4 majit, ose të njëjtat të zëvendësohen me masa më të lehta nëse bie numri i rasteve me koronavirus.

Ministria e Shëndetësisë u ka përcaktuar qytetarëve lëvizjen, duke i lënë të dalin për 90 minuta në ditë në bazë të numrit të parafundit të letërnjoftimit, ndërkohë që shkollat, qendrat tregtare, lokalet dhe të tjera vazhdojnë të jenë të mbyllura që prej mesit të muajit mars, kur edhe u identifikuan rastet e para me Covid-19.

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi thotë se duhet bërë rishikimi i situatës, se a ka rritje apo zvogëlim të numrit të rasteve që janë infektuar me Covid-19, dhe nëse trendi shkon duke u ulur atëherë ka mundësi të vendosen masa të lehta kufizuese, por jo të tërhiqen plotësisht pas 4 majit.

“Edhe pas skadimit të afatit që është përcaktuar, edhe pas 4 majit të vazhdohet me masat, në mënyrë graduale zbutjen e tyre por jo heqje të menjëhershme”, thotë ai për Kosovapress.

Ai thotë se nëse ka disiplinë e zbatim të plotë të masave, rrjedhimisht edhe ulje të personave që preken nga koronavirusi, atëherë duhet të shikohet mundësia përshkallëzimit të masave.

“Mendoj që duhet të bëhet rishikimi i gjendjes apo situatës se a ka trend në rritje apo zvogëlim, po flasim edhe në nivel të Kosovës edhe në nivel të komunave pasi që disa prej komunave i kemi në karantinë, dhe të shikohet nëse ka zvogëlim edhe në nivel të komunave atëherë duhet që masat të heqen dhe të kthehen në një masë më të butë, mirëpo nëse trendi i rritjeve vazhdon kështu çfarë është, atëherë mendoj që këto masa duhet të vazhdohen edhe pas 4 majit” shton Ibishi.

Ibishi porositë që nëse ka përmirësim të gjendjes, masat të largohen gradualisht dhe lëvizja të bëhet me mjete mbrojtëse, ndërkohë që tubimet publike dhe kontaktet e afërta të shmangen edhe për një kohë në mënyrë që të eliminohet infeksioni.

“Mendoj që kjo është dashtë më herët të futet në sistem, të zbatohet, për arsye se ne kur kemi parë ngritjen e trendit, kemi filluar t’i ashpërsojmë masat, është dashur që menjëherë të fillohet me masa më të ashpra, me qëllim që mos të vjen deri të zgjerimi i saj, dhe normal në ato vende ku është burim i infektimit, mendoj që duhet me reagu më shpejtë, sidomos në nivelin lokal”, thotë ai.

Në Kosovë aktualisht janë 669 persona të infektuar me Covid-19, deri tani janë shëruar 159 dhe kanë vdekur 19 me koronavirus.

Rastet e para u identifikuan më 13 mars gjë që pasoi me pezullimin e mësimit në shkolla dhe universitete dhe mbylljen e disa veprimtarive, si masa parandaluese për përhapje të koronavirusit.

Qeveria e Kosovës fillimisht vendosi për kufizim të lëvizjes duke e caktuar me orë daljen e qytetarëve në rrugë, vendim ky që Gjykata Kushtetuese e deklaroi si jo në përputhje ketë instancë.

Andaj, nga 15 prilli Ministria e Shëndetësisë vendosi masat e reja kufizuese të cilat janë në fuqi deri më 4 maj.

RAPORTO