Edhe sot vazhdon intervistimi i Thaçit nga Prokuroria Speciale në Hagë

Intervistimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nga Prokurori Special i Dhomave të Specializuara, me seli në Hagë, do të vazhdojë edhe sot.

Kështu tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi të hënën për mediat, pasi qëndroi për më shumë se gjashtë orë brenda ambienteve të Prokurorisë Speciale.

“Unë sot kam dëgjuar shkëmbimet e teknikaliteteve të ndryshme në mes të avokatit, zotit [Pierre-Richard] Prosper dhe prokurorëve. Do të thotë çështje sqaruese, teknike. E, në të njëjtën kohë, edhe ato fillestaret të interesimit të prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kështu që, (intervistimi) do të vazhdojë nesër”, është shprehur Thaçi.

Para se të hynte në objektin e Prokurorisë Speciale për intervistim, presidenti Thaçi deklaroi se është i bindur se nga kjo sfidë do të dalë i suksesshëm dhe aktakuzën për krime lufte, e cilësoi si “çmim për lirinë”.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte, ndër të cilat: vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.