Edhe pse shumë të interesuar për fakultet të mjekësisë, nuk rrisin numrin e studentëve

Vendimi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që numri i studentëve të rinj të rritet në Fakultetin e Mjekësisë, nuk është zbatuar.

Në shenjë pakënaqësie ndaj mos zbatimit të këtij vendimi të MASHT-it, nesër do të protestojnë një grup nxënësish, të cilët kanë aplikuar në Fakultetin e Mjekësisë.

Nxënësi, Plaurat Krasniqi konfirmoi për Telegrafin se protesta do të fillojë në ora 10:00, dhe do të mbahet para Këshillit Shtetërorë të Cilësisë.

“Ne kemi mbajtur takim me ministrin e Arsimit, prorektorin, prodekanin dhe të gjithë të tjerët përveç me Këshillin Shtetërorë të Cilësisë, të cilët nuk kanë pranuar të takohen me ne. Prandaj, nesër do të protestojnë para KSHC-së, për arsye se të gjithë mekanizmat janë shprehur të gatshëm të rritet numri i studentëve të rinj në Fakultetin e Mjekësisë, përveç KSHC-së, e cila po i thyen rregullat sipas Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë”, ka thënë ai.

Kujtojmë se në vendimin të cilin e kishte marrë ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, thuhej se numri i studentëve do të rritej në Mjekësinë e Përgjithshme, prej 150 studentë sa ka aktualisht, të rritet edhe për 75 studentë të rinj; Infermieri prej 50 studentë sa ka aktualisht, të rritet edhe për 59 studentë të rinj.

Kurse, këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) në mbledhjen e datës 26 korrik, kishte vendosur që të mos rritet numri i studentëve të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, kështu duke e hedhur poshtë vendimin e Ministrisë së Arsimit për këtë çështje.

RAPORTO