Edhe një kandidate e AAK-së reagon për “avullimin” e votave në Suharekë

12.10.2019

Së fundmi, kandidati për deputet nga koalicioni AAK-PSD, Burim Ramadani, ka thënë se gjatë procesit zgjedhor më 6 tetor 2019, janë avulluar votat, e me këtë rast ka publikuar edhe fotografi. “Ja një rast qysh avullohen votat! Qendra e Votimit 2401A, Dhoma nr. 2. Në Fletën Llogaritëse janë 58 vota. Në Formularin Zyrtar janë 0 […]

Edhe një kandidate e AAK-së reagon për “avullimin” e votave në Suharekë Foto: Ilustrim

Së fundmi, kandidati për deputet nga koalicioni AAK-PSD, Burim Ramadani, ka thënë se gjatë procesit zgjedhor më 6 tetor 2019, janë avulluar votat, e me këtë rast ka publikuar edhe fotografi.

“Ja një rast qysh avullohen votat! Qendra e Votimit 2401A, Dhoma nr. 2. Në Fletën Llogaritëse janë 58 vota. Në Formularin Zyrtar janë 0 vota. Pra, 58 qytetarë në Suharekë kanë votuar, por Komisionerja Sh.K ka vendosur që t’i avullojë ato vota. Sigurisht, duhet të ketë rinumërim. Sigurisht, dikush duhet të shkojë në Gjykatë e të merr dënim”, ka shkruar Ramadani.

Në këtë status të tij, kanë komentuar edhe Shqipe Kastrati e Besa Luzha, të dyja kandidate për deputete nga koalicioni AAK-PSD.

“Ja edhe rasti im. Një ditë më parë më uruan se për momentin kam 602 vota në Suharekë,të nesërmen u “avulluan” në 34???!!!”, ka shkruar Kastrati.

Ndërkaq, për komentin e Ramadanit, kandidatja për deputete Besa Luzha ka thënë se “shembuj si ky, tregojnë, sa i brishtë është ky proces të cilin e lavdëruam të gjithë, sepse nga jashtë, garat në mes partive, vërtet ishin fer. Problemi pra është gara e ndyrë, brenda llojit”.

Edhe gjatë ditës së djeshme, kandidati i AAK-së për deputet, Muharrem Nitaj është shprehur i zhgënjyer me procesin zgjedhor, duke pohuar se ‘po thonë se shumë nga kandidatët, me çanta me para kanë paguar për të fituar mandatet e tyre’.

“Po thonë se shumë nga kandidatët, me çanta me para, i paskëshin blerë mandatet e tyre. Me vjen keq për ta se janë të mjerë. Po thonë që edhe shumë të tjerë paskëshin paguar shumë para e nuk i paskëshin fituar mandatet! Për ta më vjen mirë se haram duhet t’i kenë pasur! Por më së shumti ndiej keqardhje, pse ata që nuk patën para e duhej të ishin zgjedhur, nuk e kaluan pragun! Këtë here nuk ishte koha e tyre! Po lexoj se shumë nga kandidatet po kërkojnë të hapen kutitë e të numërohen votat një për një! Mosni se kjo nxjerr telashe të mëdha, sepse shumë njerëz duhet të koriten, ndonjëri edhe të shkojë në burg ndoshta, e kështu të prishet darka e qejfit të zgjedhjeve, he mos kofshin! Lëreni siç është, se më mirë as që duhej të ishte!”, ka shkruar Nitaj në Facebook.