Së shpejti edhe laboratoret private në Suharekë do të bëjnë teste për COVID-19, rezultati brenda 30 minutave!

Ditë më parë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka nënshkruar dy udhëzime administrative për licencim për pjesën për COVID-19 të laboratorëve private. 

Fillimisht laboratoret private duhet të plotësojnë një sërë kushtesh sipas udhëzimit administrativ 01/2020 (SHIKO KËTU) dhe të aplikojn në Ministrinë e Shëndetësisë për tu licencuar për kryerjen e testeve serologjike për SARS-CoV-2.

Gjithashtu laboratoret duhet të kenë kontratë për asgjësimin e mbetjeve infektive, në rastin konkret laboratoret në Komunën e Suharekës duhet të kenë kontratë me Spitalin Rajonal të Prizrenit, që mbetjet të asgjësohen atje.

SuharekaOnline nga burime të veta mëson se një test për SARS-CoV-2 do të ketë çmim të njëjtë në të gjitha laboratoret, çmim ky i caktuar nga ministria dhe me çfarë çmimi do të hyjnë reagencat në Doganën e Kosovës.

Rezultatet e testit pritet të interpretohen brenda 30 minutave ku pacientit i merret mostra e gjakut dhe detektohen antitrupat ose imunoglobulinat IgA, IgM dhe IgG.

– IgA detektohet nëse sëmundja është në fazën e hershme 2-5 ditë.
– IgM nga dita 6-7 deri në ditët 12-13 të sëmundjes (faza akute e sëmundjes).
– vlera e IgG rritet pas ditës së 14 të sëmundjes, d.m.th. pacienti e ka kaluar sëmundjen (infeksionin) pavarësisht nëse ka pasur ose jo simptoma.

Nëse në serum janë dy llojet e antitrupave IgM dhe IgG kjo tregon qe pacienti është në fazen e shërimit.

Testimi i saktë lejon identifikimin e personave që mund të kenë nevojë për trajtim ose që kanë nevojë të vetizolohen për të parandaluar përhapjen e infeksionit.

Laboratoret janë të obliguar që të raportojnë çdo ditë në IKSHPK për të gjitha rastet e testuara dhe për rezultatet e tyre.

Testimi serologjik konsiston në përcaktimin e antitrupave si një mjet i rëndësishëm për të kuptuar shtrirjen e COVID-19 në komunitet.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.