Edhe ambasada amerikane kërkon respektimin e masave kundër koronavirusit

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka kërkuar respektimin e masave të vendosura nga autoritetet e Kosovës për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada amerikane tha se respektimi i masave ndihmon në luftimin efikas të koronavirusit.

“Ne e dimë që distanca sociale globale dhe ndjekja e kufizimeve lokale të lëvizjes po vjetërsohen. Por, është shumë e rëndësishme që ne të vazhdojmë t’i ndjekim udhëzimet e nxjerra nga Qeveria e Kosovës dhe komunat, për të ndaluar përhapjen e COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi]. Ne do të jemi në gjendje ta shohim njëri-tjetrin personalisht nëse ndiqen këto masa. Ne jemi bashkë në këtë dhe së bashku mund ta mposhtim COVID-19”, shkroi Ambasada amerikane në profilin e saj në Facebook.

Kosova ka vendosur masa të reja të qarkullimit, nisur nga sot.

Sipas tyre, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe varet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

RAPORTO