Marrëveshja Edhe 72 orë të reja për Kurtin e Mustafën

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit, patën paralajmëruar se do të jenë të mjaftueshme 72 orë për të arritur një marrëveshje për krijimin e koalicionit qeverisës, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Do të takohemi për ta kryer, brenda 72 orëve apo më pak se 100 orëve, marrëveshjen tonë përfundimtare për koalicionin e ardhshëm qeverisës”, pati thënë Kurti më 22 nëntor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 27 nëntor, ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit. Megjithatë, të dy partive, u kanë mbetur pak më shumë se 72 orë, deri në mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës, për të arritur eventualisht një marrëveshje për koalicion qeverisës.

Më 26 dhjetor pritet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Arbërie Nagavci, anëtare e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë që pritjet në subjektin e saj politik kanë qenë që marrëveshja për koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës do të arrihet shpejt, marrë parasysh që kjo e fundit kishte deklaruar se për një marrëveshje duhet vetëm të certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.

“Kemi pritur që marrëveshja do të arrihet më shpejtë dhe jemi angazhuar për këtë. Por, LDK-ja, si duket ka pasur nevojë për më shumë kohë dhe ne besojmë dhe shpresojmë që kjo të mos zgjasë më shumë se data 26 dhjetor, kur edhe duhet të bëhet konstituimi i Kuvendit”, tha Nagavci.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, duke folur për Radion Evropa e Lirë thotë se do të shfrytëzohet koha para mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit, për të diskutuar me Lëvizjen Vetëvendosje, që të tejkalohet kjo situatë dhe të nënshkruhet marrëveshja.

“Jemi afër, besoj shumë. Por, palët, si duket, po kanë nevojë edhe më tutje që të diskutojnë për zgjedhjen e presidentit, duke u koordinuar në mes nesh, në mes dy partive kryesore që do të ndërtojnë koalicion për ndryshimin në Kosovë. Vullneti i të dy palëve është i mirë, që të gjendet zgjidhja dhe të përfundojnë marrëveshjen”, tha Haziri./REL/

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.