Edhe 20 policë do të testohen nesër, sonte 12 rezultuan pozitiv

Më 20 maj nga rezultatet e IKSHPK-së rezultuatn tetë raste pozitive me COVID-19 në Komunën e Prizrenit, ku njëri ndër ta është edhe një zyrtar policor.

Për të parandaluar përhapjen dhe kontrolluar gjendjen e pacientëve me covid-19 Qendra Rajonale e Shëndetësisë Publike në Prizren vazhdimisht është duke hulumtuar dhe gjurmuar kontakte të pacientit.

Në lidhje me këtë sot janë testuar 20 zyrtarë policorë, ku nga ata 12 raste kanë rezultuar pozitiv me covid-19, prej të cilëve dy polic nga Komuna e Suharekës.

Rastet kanë pasur kontakt me policin i cili rezultoi i infektuar me COVID-19.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, togeri Shaban Osmanollaj.

“Nga testimet që u bënë, 12 nga ta janë zyrtar policor të cilët për momentin janë shumë mirë me shëndet. Edhe 20 policë të tjerë të cilët dyshohet që mund të kenë pasur kontakt me policinë do të testohen nesër” tha Osmanollaj.

Osmanollaj ka treguar se zyrtarët policor të prekur me COVID-19 janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Gjithashtu ai ka kërkuar nga qytetarët disiplinë për të respektuar distancën sociale dhe kohën e kufizimit të lëvizjes me ç’rast do ta lehtësojnë punën për mantelbardhët dhe Policinë e Kosovës.

Osmanollaj gjithashtu ka apeluar tek qytetarët për respektimin e masave të vendosura nga qeveria si dhe rekomandimeve të institutit.