E ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-së viziton veriun, thekson rëndësinë e stabilitetit
E ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ka zhvilluar sot një vizitë në veri të vendit.
Sipas njoftimit të Ambasadës Amerikane, gjatë vizitës së saj, Prattipati u takua me përfaqësues të shoqërisë civile, politikanë të zonës dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.
“E Ngarkuara me Punë Anu Prattipati pati një vizitë produktive në veri të Kosovës sot, ku u takua me udhëheqës të shoqërisë civile, përfaqësues politikë dhe Policinë e Kosovës,” thuhet në komunikatën e ambasadës.
Ambasada amerikane ka theksuar se Prattipati gjatë takimeve “ritheksoi qëndrimin e qeverisë së SHBA-së: stabiliteti dhe siguria janë kyçe”.
Në fund të njoftimit, ambasada ka shtuar se “është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës të sigurojë që të gjithë qytetarët të mund të jetojnë në mënyrë paqësore”.
Kjo vizitë vjen në një periudhë kur rajoni i veriut ka qenë në fokus për shkak të zhvillimeve të ndryshme politike dhe të sigurisë.