E konfirmon MASHTI: Të hënën fillon viti i ri shkollor 2021/2022

Të hënën, më 27 shtator 2021, fillon viti i ri shkollor. MASHTI ka hartuar udhëzuesin për organizimin e procesit mësimor në kushte të pandemisë COVID-19, i cili parasheh 4 skenarë për zhvillimin e procesit mësimor, varësisht nga situata epidemiologjike dhe kushtet specifike në shkolla.

24.09.2021 / Lajme

E konfirmon MASHTI: Të hënën fillon viti i ri shkollor 2021/2022
Foto: ilustrim

Megjithëse skenari më i preferuar është ai për rikthim në shkolla me prani fizike, në rast se në ndonjë shkollë situata epidemiogjike është më e rënduar, taskforcat në nivel komune mund të marrin vendim për të kaluar në ndonjë nga skenarët tjerë.

Përveç mësimit me prezencë janë bërë edhe përgatitjet për organizimin e mësimit online, në rast nevoje.


MASHTI, në bashkëpunim me UNICEF, ka ofruar për të gjitha shkollat mundësinë e qasjes në platformën mësimore www.shkollat.org, të bazuar në teknologjinë e Microsoft, ku, përveç sistemit për menaxhimin e mësimit në distancë janë publikuar edhe video-mësimet sipas programit mësimor të klasave 1-9.

Për t’u regjistruar në platformë shkollat duhet të dërgojnë një e-mail në adresën [email protected], ndërsa së shpejti do të publikohen edhe numrat e telefonit përmes të cilave do të ofrohet përkrahja teknike për shfrytëzuesit.

Shkollat janë të lira të shfrytëzojnë edhe platforma dhe aplikacione të tjera me të cilat janë akomoduar si: Google Workspace for Education, eShkollori, Zoom, etj.

Prej dt. 27 shtator 2021 fillon emetimi i video-mësimeve në kanalin RTK4, çdo ditë pune, prej orës 9.00-16.00, sipas orarit të përgatitur nga MASHTI:

Po këto video-mësime gjenden edhe në kanalin zyrtar të MASHTI – https://emesimi.rks-gov.net/shq/. Video-mësimet mund të shfrytëzohen gjatë zhvillimit të mësimit online, por edhe për përforcimin e njohurive nga nxënësit që vijojnë mësimin me prezencë në shkollë. Në vitin shkollor 2021/22 klasa e pestë punon me programe të reja, prandaj video-mësimet për këtë klasë do të kufizohen vetëm në lëndët: Gjuhë amtare, Matematikë, Njeriu dhe natyra, Gjuhë angleze dhe Artet.

Përkundër progresit në vaksinimin e popullsisë, e në veçanti të punonjësve të arsimit, ky vit shkollor mund të jetë shumë sfidues.

Prandaj është e domosdoshme të respektohen masat mbrojtëse si: bartja e maskës, mbajtja e distancës së përcaktuar, higjiena e duarve dhe të gjitha masat tjera të përshkruara në Udhëzues. Kjo është mënyra më e mirë për të vënë nën kontroll pandeminë, duke i kontribuar mbarëvajtjes së procesit mësimor dhe ruajtjes së shëndetit publik.

Ju dëshirojmë një vit shkollor të mbarë dhe plot suksese!

KOMENTE0

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *