Dyshimet për ryshfet në subvencionet bujqësore, në 2019 Salih Zyba kishte ngritur kallëzim penal ndaj 3 ish-ministrave

30.06.2021

Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një aksion në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, ky vazhdim i aksionit të mëhershëm i quajtur “subvencionet”. Në këtë aksion mësohet se janë arrestuar shtatë persona. Zyrtarët e arrestuar të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë dyshohen për keqpërdorim të detyrës […]

Dyshimet për ryshfet në subvencionet bujqësore, në 2019 Salih Zyba kishte ngritur kallëzim penal ndaj 3 ish-ministrave Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një aksion në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, ky vazhdim i aksionit të mëhershëm i quajtur “subvencionet”.

Në këtë aksion mësohet se janë arrestuar shtatë persona.

Zyrtarët e arrestuar të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti në ndarjen e subvencioneve.

Arrestimi i tyre është bërë në kuadër të aksionit të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike me Prokurorinë.

Shqetësimin se kishte keqpërdorime në dhënien e subvencioneve dhe granteve e kishte ngritur edhe anëtari i komisionit parlamentar për këtë fushë dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba.

Dhe jo vetëm kaq, në gusht të vitit 2019, asokohe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Salih Zyba, dorëzoi kallëzim penal për ish ministrat e Bujqësisë, Nenad Rikallo, Memli Krasniqi, Blerand Stavileci, sekretarin e Ministrisë së Bujqësisë, Halim Kapllani, drejtorin e Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë, Ekrem Gjokaj dhe ish drejtorin e kësaj agjencie, Elhami Hajdari.

VV kishte kërkuar nga prokuroria që të mos vonohet me këto hetime, “tashmë ka fakte të bollshme prej fermerëve, prej këtij kallzimi e veçanërisht prej Raportin e performancës së Auditorit lidhur me procesin e menaxhimit të granteve dhe subvencioneve në sektorin e bujqësisë”, kishte thënë Zyba.

Tutje, ai kishte sqaruar se ky kallëzim penal mbulon dy çështje, grantet në shumën 4 milionë euro të dhëna për 4 konzurciome dhe një kompani secila prej tyre e lidhur drejtpërdrejtë me drejtues politkë dhe ish ministra si dhe keqpërdorimet prej vitit 2014 në këtë fushë.

Jemi të vetëdijshëm që tashmë dhjetra fermerë për vite të tëra kanë kallzuar në prokurori, në polici për keqpërdorimet e mëdha qoftë me grantet e qoftë me subvencionet. Qindra ankesa e padrejtësi kemi pranuar prej tyre në këtë drejtim.