Dyfishohet numri i rasteve në Emergjencë, shkak temperaturat e larta

Mbi 300 raste brenda 24 orëve janë regjistruar ditëve të fundit vetëm në Klinikën Emergjente në QKUK. Si shkak i temperaturave të larta, numri i pacientëve në këtë klinikë është dyfishuar ditëve të fundit. Prej tyre pesë deri në dhjetë përqind janë të sëmurët të cilët vuajnë nga sëmundje të tjera.

Mjekët këshillojnë që sidomos të moshuarit, personat me probleme shëndetësore dhe shtatzënat, mos t’i ekspozohen rrezeve të diellit gjatë mesditës.

Drejtori i Klinikës Emergjente, Basri Lenjani thotë se kjo klinikë shënon numrin rekord të tw sëmbuarve, lënduarve të cilët kërkojnë shërbime emergjente mjekësore.

Krahas kësaj, gjatë këtyre ditëve të cilat po karakterizohen me temperatura të larta, numri i pacientëve në këtë klinikë është dyfishuar.

Përkundër numrit të madh të pacientëve, Lenjani thotë se nuk është evidentuar asnjë rast i cili ka pësuar fatalisht si shkak i rrezeve të diellit.

Megjithatë, sipas shefit të Klinikës Emergjent, personat të cilët kanë pasur më parë goditje në tru apo zemër, janë gjasat më të mëdha t’u shfaqen prapë këto simptoma.

Mbipopullimi thotë se po ua vështirëson punën, derisa puna e tyre fokusohet në raste më të rënda dhe emergjente.

Lenjani këshillon që nga ora 11:00 deri në 17:00,  qytetarët fare mos t’i ekspozohen rrezeve të diellit, sidomos personat me probleme shëndetësore, meqë gjendja e tyre mund të përkeqësohet.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, nga e hëna moti do të jetë më i freskët, me vranësira dhe intervale me diell, derisa pasditet  me reshje shiu. E temperatura  maksimale të hënën do të jetë 24 gradë./KP/

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.