Dy persona rezultojnë të shëruar plotësisht nga COVID-19, lirohen nga Klinika Infektive

Dy persona të infektuar me koronavirus sot janë liruar meqë në rezultatet e fundit kanë dalë të shëruar plotësisht nga kjo pandemi.

Kjo është bërë e ditur nga infektologu Sali Ahmeti, i cili tutje shtoi se nga 36 persona të cilët po trajtohen në Klinikën Infektive, tre persona janë në kujdes intensiv meqë gjendja e tyre është shumë të rëndë.

“Ne sot kemi 36 pacientë të spitalizuar, prej atyre katër janë me oksigjeno terapi me gjendje të rëndë, por megjithatë stabile. Ndërsa, tre janë në kujdesin intensiv, ata janë në gjendje shumë të rëndë, dy prej tyre janë edhe në hemodializë kronike të cilat po i kryejnë edhe këtu tek ne, por gjendja e tyre vazhdon të mbetet e rëndë”, tha ai.

Ndërsa, sa i përket personelit shëndetësor ai tha se nuk ka ndonjë rast të ri.

Duke qenë se ditëve të fundit ka pasur një numër më të ulët të rasteve të reja me COVID-19, ai potencon se është një kohë pak më relaksuese, por që thotë se duhet të vazhdohet me respektimin e masave.

“Është kohë pak më relaksuese, por që nuk do të thotë të shpërqendrohemi dhe të largojmë vëmendjen nga kujdesi i masave të rekomanduara deri më tani. Ne duhet me pas kujdes të shtuar që edhe kah fundi mos të humbim durimin, masat preventive duhet të respektohen sikurse edhe më parë”, tha ai.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.