Herolind Bytyçi
11.04.2019, 17:20

Driton Selmanaj: Në Mushtisht, 250 shtëpi janë mbyllur

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka treguar se në fshatin e tij të lindjes, në Mushtisht të Suhrekës, janë mbyllur mbi 250 shtëpi, të cilët janë larguar nga Kosova, shkruan Gazeta Blic.

Selmanaj në debatin e Kuvendit, për ikjet nga Kosova, ka thënë se kjo po ndodh për shkak të të gjitha qeverive, që nga paslufta.

Ai shtoi se deklaratat skandaloze, sikur ajo e nënkryetarit të Kuvendit, Xhavit Haliti, i cili pati thënë se “secili i ka nga dy-tre milionë euro”, ka bërë që të largohen qytetarët nga vendi.

“Paramendone se cfarë tha nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, në një emision televiziv: na secili I kemi nga dy tre milionë euro. Kemi njerëz të cilët i kanë bërë nga katër shtëpija në Marigona Residence. Në fshatin tim të lindjes në Mushtisht të Suharekës, 250 shtëpi janë mbyllur. Paramendojeni në vetëm një fshat të mbyllen kaq shumë shtëpi dhe të ikin nga vendi”, ka thënë Selmanaj.

Selmanaj gjithashtu ka thënë se nuk është e rëndësishme se në kohën e cilës qeveri ka pasur ikje më të shpeshta të qytetarëve.

Ai tha se e rëndësishme duhet të jetë angazhimi për ndalimin e zbrazjes së Kosovës.

“Hic nuk ka rëndësi që në kohën e Isa Mustafës paskan ikur, 150 mijë, e rëndësishme është që Kosova po zbrazet. Në momentin kur i dëgjon këso deklaratash se në kohën e juaj kanë ikur kaq e në kohën tonë kaq, tregon për ta se sa të paskrupullt që janë. Kjo tregon se ata nuk e kanë fare dert problemin që Kosova po zbrazet”, ka thënë Selmanaj