Drejtori Valbon Krasniqi vizitoi Spitalin e Prizrenit

28.08.2020

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, të shoqëruar nga zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj, vizituan Spitalin e Prizrenit për të parë nga afër rrjedhën e punës dhe sfidat e stafit shëndetësor, në ballafaqimin me Pandeminë COVID-19. Gjatë qëndrimit në Prizren, ata kanë përuruar rezervuarin me […]

Drejtori Valbon Krasniqi vizitoi Spitalin e Prizrenit Foto: Ilustrim

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, të shoqëruar nga zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj, vizituan Spitalin e Prizrenit për të parë nga afër rrjedhën e punës dhe sfidat e stafit shëndetësor, në ballafaqimin me Pandeminë COVID-19.

Gjatë qëndrimit në Prizren, ata kanë përuruar rezervuarin me oksigjen të lëngshëm, me një kapacitet prej 10 mijë litrash, i cili parashihet të përmbushë nevojën për furnizim të mjaftueshëm me oksigjen.

Në këtë kontekst, SHSKUK ka formuar një komision të veçantë, i cili do të shtyjë përpara implementimin e projektit, që ka për synim të pajisë të gjitha spitalet e përgjithshme me rezervuar me oksigjen të lëngshëm.

Drejtori Krasniqi falënderoi stafin shëndetësor për punën e jashtëzakonshme gjatë kohës së pandemisë, gjersa u zotua se do të bëjë përpjekje maksimale për përmirësimin e kushteve.

“Spitali i Prizrenit ka arritur ta menaxhojë mirë pandeminë, që nga fillimi nuk ka hezituar të pranojë pacientë me COVID. Jemi këtu për të falënderuar personelin shëndetësor për punën e shkëlqyeshme dhe për të dëgjuar të gjitha shqetësimet e tyre. Por, po ashtu, për të shtyrë përpara projektet, që do të mundësojnë ofrimin e shërbimeve më të mira për pacientët dhe përmirësimin e kushteve për stafin shëndetësor”, tha Krasniqi.

Në kuadër të përpjekjeve për të lehtësuar punën, Spitalit të Prizrenit, gjithashtu, i është dorëzuar edhe një autoambulancë, donacion nga Bashkimi Europian.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, deklaroi se Qeveria e Kosovës do të vë ne funksion te gjitha kapacitetet e saj për të ndihmuar sektorin e shëndetësisë, në përballjen me virusin COVID 19.

” Ne po ndajmë resurset që kemi në dispozicion. Një ndër to është edhe dhurimi i kësaj ambulance, që do t’i shërbejë emergjencës. Me ketë vizitë, ne kemi treguar përkushtimin tonë për ta ndihmuar stafin shëndetësor dhe menaxhmentin e spitalit në luftën me pandeminë”, theksoi Zemaj.

Stafit shëndetësor mbështetje i ka dhënë edhe Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albilena Balaj.

Ajo tha se sfida me pandeminë ka vënë në pah rëndësinë e sektorit të shëndetësisë dhe domosdoshmërinë e angazhimit të shtetit për përmirësimin e gjendjes në këtë fushë.

Drejtori Krasniqi, ka vizituar edhe Repartin e Infektives, ku po trajtohen pacientët e prekur me virusin COVID- 19.

Gjate takimit me drejtorin e spitalit, Afrim Avdaj, menaxhmenti i SHSKUK-së premtoi se Spitali i Prizrenit, po ashtu, do te pajiset edhe me një rezonancë magnetike.