Drejtori i Policisë: Sfidë e kemi furnizimin e policëve me ushqim, kam kërkuar 100 euro shtesë në muaj për ta

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka folur për sfidat e policisë gjatë menaxhimit të situatës së pandemisë.

Qalaj ka thënë se pjesëtarët e policisë kanë hasur vështirësi të shumta gjatë kësaj kohe të pandemisë.

Ai thotë se gjatë qëndrimit statik në pozicione të ndryshme për kohë më të gjatë policët kanë pasur probleme të gjejnë tualete dhe të kryejnë nevojat personale.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës ka thënë në Rtv Dukagjini se policët gjatë ushtrimit të detyrës janë ballafaquar edhe me problemin e ushqyerjes.

Ai thotë se policët ushqimin janë detyruar ta marrin me vete ose në disa raste patrullat u kanë dërguar atyre ushqime që i kanë blerë vet.

Qalaj thotë se ka kërkuar nga ushtruesi i detyrës së Ministrit të Brendshëm që të kompensohen policët për shujta ushqimore gjatë kohës së pandemisë, përcjell Telegrafi.

“Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Brendshëm e ka dërguar kërkesën te Ministria e Financave dhe ende nuk është vendosur. Po flasim për një shujtë ditore që kushton pesë euro e që në baza mujore i bie 100 euro për policë si shtesë”.

Qalaj shpreson që Ministria e Financave do të vendos në të mirë të policëve.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.