Drejtori i IKSHP: Kemi mbi 3500 kontakte,i kemi kontrolluar edhe 300 persona që kanë hyrë në Kosovë

Drejtori i Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani ka thënë se masat që janë ndërmarrë nga institucionet e vendit dhe rekomandimet e IKSHP-së lidhur me parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19 duhet të vazhdojnë të respektohen edhe në javët në vijim, ndërsa sa edhe kufizimi i lëvizjes duhet të vazhdojë.

Ramadani ka lutur të gjithë që të mos bëjnë presion publik, duke shtuar se njerëzit po vazhdojnë të luajnë rolin e epidemiologut dhe po bëjnë shumë pyetje e llogari.

Ai tha se pyetjet dhe dyshimet që shfaqen ndaj mjekëve në këtë kohë janë të papërshtatshme dhe po ju shkakton shumë presion.

Ai tha po ashtu se Prishtina si kryeqytet ka një vëmendje më të madhe nga epidemiologët, për shkak se është një dimension tjetër, por duke mos lënë anash komunat e tjera, sidomos Komunën e Malishevës, ku ka më së shumti raste me COVID-19 deri më tani.

“Prishtina e ka vëmendjen tonë për shkak se ka një dimension tjetër. Por, kjo nuk do të thotë se nuk e kemi vëmendjen edhe në tjera komuna. Ju e dini i kemi dhënë  përparësi Malishevës, nëse ka raste më specifike me disa raste, si në këtë atëherë do ta kemi prioritet por pa i lënë anash edhe të tjerët”, tha Ramadani në RTV Dukagjini.

Drejtori i IKSHP-së përmendi një numër prej rreth 3 mijë e 500 persona si kontakte, ndërsa tha se të gjitha këto po bëhen nga një numër i epidemiologëve të cilët janë duke e bërë punën e tyre për mrekulli.

“Kemi mbi 3500 kontakte, i kemi kontrolluar edhe 300 që kanë hyrë në Kosovë jashtë shtetit. Kjo është një numër enorm, me një numër aq të vogël që nuk mund të përmend”, tha Ramadani.

RAPORTO