Dr. Fadil Kryeziu banorëve të Korishës: Mos krijoni panik, jemi duke hulumtuar rastin

Komuna e Prizrenit është prekur po ashtu nga pandemia e coronavirusit. Deri më tash në këtë komunë janë konfirmuar tri raste, ku rasti i fundit është ai në fshatin Korishë të Prizrenit.

Personi i infektuar me Covid-19 është e gjinisë femër ndërkaq Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka thënë se ende nuk dihet burimi i infektimit të kësaj pacijente.

“Pacientja fillimisht kishte qenë duke u trajtuar në ordinanca private dhe shtetërore deri para pak javësh si dhe vuan nga sëmundje përcjellëse si diabet dhe hiperternsion” ka thënë për portalin SuharekaOnline Dr.Fadil Kryeziu nga Instituti Kombëtar për Shëndet Publik i Kosovës.

“Kemi kontaktuar edhe familjen dhe individ të tjerë në Korishë dhe ju bëjmë thirrje banorëve të Korishës të mos krijojnë panik dhe vetëm të rrijnë në shtëpi, ne jemi duke hulumtuar rastin për të gjetur kontaktet dhe burimin e infektimit” ka treguar Dr.Fadil Kryeziu.

Ai gjithashtu ka apeluar tek të gjithë qytetarët që të ndjekin udhëzimet e Institutit Kombëtar si të shmangin daljet e panevojshme, të pastrojnë duart sa më shpesh, të mbajnë distancën etj.

Pas këtij rasti të konfirmuar me coronavirus, Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim që fshati Korishë e Prizrenit të shpallet zonë karantinë.

RAPORTO