Ardian Shala: Sulmi ndaj zv.kryeministrit Hoti, një akt i ulët dhe i papranueshëm

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është sulmuar me vezë deri sa ishte afër ndërtesës së qeverisë.

Deputeti i LDK-së nga Suhareka, Ardian Shala sulmin ndaj zv.kryeministrit Hoti e ka konsideruar si akt të ulët dhe të papranueshëm.

“Sulmi i sotëm ndaj zëvendëskryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti është një akt i ulët, i papranueshëm dhe i dëmshëm për proceset vendimtare politike nëpër të cilat po kalon vendi ynë.

Është i papranueshëm kthimi i shoqërisë sonë në sulme të këtilla, njësoj si në vitet 2015-2016, me qëllim stagnimin dhe bllokimin e proceseve shtetformuese që i kemi ndërtuar në partneritet me miqtë tanë ndërkombëtar.

Kosova ka nevojë për qetësi, maturi dhe unitet në politikbërje dhe udhëheqje të vendit” ka thënë Shala.

Ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dënuar sulmin ndaj zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti.

Në reagim thuhet se sulmi i sotëm ndaj zëvendëskryeministrit të Kosovës, është një akt i ulët, i papranueshëm dhe i dëmshëm për proceset vendimtare politike nëpër të cilat po kalon vendi.

Personi, zëri i të cilit dëgjohet në xhirim, thotë se “Taksën s’duhet më e heqë”.