Dogana Shqiptare bllokon mbi 34 mijë cigare elektronike kontrabandë me destinacion Kosovën

09.02.2024

Dogana shqiptare ka bllokuar një sasi prej mbi 34 mijë cigare elektronike në Portin e Durrësit me destinacion Kosovën.

Dogana Shqiptare bllokon mbi 34 mijë cigare elektronike kontrabandë me destinacion Kosovën Foto: Ilustrim

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, në Portin e Durrësit me Anijen MCS Caledonia II, nisur nga Gioia Tauro, Itali ka mbërritur një kontenier ngarkuar me cigare elektronike në sasinë 1500 kg ose 34,420 copë”.

Sipas njoftimit, nga kontrolli i ushtruar nga autoritetet Doganore Shqiptare ka rezultuar se cigaret elektronike ishin pa pullë fiskale të Republikës së Shqipërisë apo të Republikës së Kosovës.

Për këtë arsye, administrata doganore ka pezulluar procedurat e tranzitit, është bërë bllokimi i kontenierit në sheshin e kontenierëve në Portin e Durrësit dhe është kryer referimi pranë Prokurorisë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës, për veprën penale “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë”, parashikuar nga nenet 172 të Kodit Penal.

Kjo është e disata herë që dogana bllokon cigare kontrabandë të cilat janë të destinuara për tu hedhur në treg pa paguar detyrimet fiskale përkatëse.