Kosova ktheu mbrapa 50 mijë maska të blera në Kinë!

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi ka folur lidhur me deklarimet e deputetit të PDK-së Bekim Haxhiu, se maskat që po përdoren në Kosovë për mbrojtje nga koronavirusi mund të jenë kancerogjene.

Ai në emisionin Frontal të T7 ka bërë të ditur se javën e kaluar janë kthyer mbrapa rreth 50 mijë maska nga Kina.

“Nuk janë të vërtetuara ato që ka thënë deputeti (Haxhiu). Ne kemi inspektuar para një jave sasinë e konfiskuar që dogana i ka ndalë rreth 50 mijë maska që kanë ardhur nga Kina, pasi nuk e kanë pasur testin e kryer i kemi kthyer mbrapa. Pasi është ngritur ky shqetësim nga deputeti, ne do të kemi kujdes pak më të shtuar te ky produkt”, ka thënë Veseli, shkruan Express.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, në Debat Plus mbrëmë ka thënë se maskat që përdoren në Kosovë kundër COVID-19, mund të jenë kancerogjene, pasi që ato kryesisht janë prodhim kinez dhe nuk kanë garanci.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.