Lajmi u bë i ditur nga drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu.
Agron Llugaliu ka vlerësuar këtë vit si tejet të suksesshëm për institucionin që ai drejton, duke përmendur një sërë faktorësh që kanë ndikuar në rritjen e të hyrave doganore. Ai ka theksuar përmirësimin e procedurave doganore, përdorimin e teknologjive të avancuara dhe thjeshtimin e procedurave si faktorë kyç. Për më tepër, lufta kundër kontrabandës dhe korrupsionit ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë sukses.
“Ky vit ka qenë mjaft i suksesshëm në fushat që zbaton Dogana e Kosovës. Të hyrat doganore sivjet janë 1 miliard e 800 milionë euro, një rritje prej 151 milionë euro dhe kemi kaluar projeksionin prej 50 milionë. Janë disa faktorë që kanë arritur këtë rritje, si zhvillimi ekonomik dhe luftimi i korrupsionit,” tha Llugaliu.
Drejtori Llugaliu ka bërë të ditur se importi nga Serbia këtë vit ka arritur në 127 milionë euro, ndërsa Turqia, Gjermania dhe Kina mbesin ndër partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës. Importet nga Turqia përbëjnë një shifër mbresëlënëse prej 909 milionë eurosh, ndërsa Gjermania është afër kësaj vlere.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është prokurimi i një softueri të avancuar që do të ndihmojë në zbatimin e çarkut doganor dhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale. Llugaliu theksoi se kjo teknologji do të vihet në funksion në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm.
Një tjetër sukses i Doganës së Kosovës gjatë këtij viti është edhe lufta kundër kontrabandës. Vlera totale e mallrave të konfiskuara gjatë vitit 2024 arrin në 19 milionë euro, një rezultat që nënvizon përkushtimin e Doganës në zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e tregut.