Dje pesë të shëruar nga Ferizaj, kanë mbetur vetëm nëntë të prekur me COVID-19

Nga 98 raste të përgjithshme sa kishte të prekur me COVID-19 nga Komuna e Ferizajt vetëm 9 persona kane mbetur aktiv.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Ferizajt, Bekim Ademi ka thënë për RTV Dukagjinin se gjatë ditës së djeshme 5 persona kanë rezultuar të shëruar nga coronavirusi.

“Numri i të shëruarve ka shkuar në 87 nga 98 raste sa kanë qenë të prekur me COVID-19. Dy persona nga Ferizaj tashmë kanë ndërruar jetë si pasojë e infektimit me COVID”.

Ademi thotë se edhe në mesin e 9 rasteve aktive disa prej tyre kanë rezultuar negativ në ritestimin e parë por që pritet edhe një ritestim i tyre për t’u konfirmuar të shëruar.

“Asnjëri nga këta nëntë të prekur nuk janë të shtrirë në Klinikën Infektive dhe po presim që shumë shpejt të konfirmohen edhe ata si të shëruar”, deklaroi Bekim Ademi.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.