Diskutohen hapat për hartimin e projektit zbatues për teleferikun për në Kalanë e Prizrenit

para 9 dite

Projekti për ndërtimin e teleferikut për në Kalanë e Prizrenit është shqyrtuar të martën gjatë një takimi që kryetari i Komunës, Shaqir Totaj ka zhvilluar me zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ata të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore dhe përfaqësuesit e organizatës Swisscontact.

Diskutohen hapat për hartimin e projektit zbatues për teleferikun për në Kalanë e Prizrenit Foto: Ilustrim

Sipas njoftimit të Komunës së Prizrenit në këtë takim është biseduar për avancimin e projektit për ndërtimin e strukturës dhe teleferikut për ngjitje në Kalanë e Prizrenit, raporton Telegrafi.

“Studimi i fizibilitetit ka përfunduar, ndërsa, në takimin e sotëm u diskutuan hapat e mëtejshëm për hartimin e projektit të detajuar implementues”, thuhet në njoftim, duke shtuar se marrëveshja për këtë projekt buron nga një bashkëpunim tripalësh mes Komunës së Prizrenit, MMPHI-së dhe Swisscontactit.

“Ky projekt do ta lehtësoj qasjen në Kalanë historike, një nga atraksionet më të rëndësishme turistike të qytetit”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Marrëveshje tri palëshe për ndërtimin e teleferikut për në Kalanë e Prizrenit ishte nënshkruar në janar të vitit 2023.

Në muajin qershor të këtij viti, kryetari Totaj pati njoftuar se ka pranuar studimin e fizibilitetit dhe studimin gjeoteknik për ndërtimin e strukturës dhe teleferikut për ngjitje në “Kalanë e Prizrenit”, i hartuar nga Swisscontacti respektivisht kompania “Epode” nga Franca.

“Hapi i radhës do të jetë hartimi i projektit të detajuar dhe ndjekja e proceseve ligjore për ndërtimin e teleferikut, që do të jetë një tjetër element atraktiv për turistët e huaj dhe ata vendës”, pat thënë ai.

Teleferiku si mjet, mundëson qasjen për të gjitha grupet e komunitetit në njërin prej lokaliteteve më të vizituara të arkeologjisë në Prizren.

Në Ligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2024, figuron se për projektin e teleferikut janë planifikuar afër 1.7 milion euro, me ç’rast afër 200 mijë euro janë shpenzuar deri në vitin 2023, teksa 500 mijë euro janë aprovuar për vitin 2024 dhe nga 500 mijë euro për vitin 2025 respektivisht 2026.

A e dini çka është KODI 95?
Voto