Disa nga masat që duhet respektuar në momentin që fillojnë udhëtimet me avion

Pas ecurisë së pandemisë COVID-19 në shumicën e shteteve anëtare të BE-së, Komisioni Evropian dhe Kryetarja e Këshillit Evropian kanë kërkuar nga Agjencia Evropiane e Sigurisë në Aviacion (EASA) dhe Qendra Evropiane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (ECDC) një material udhëzues për të propozuar një seri masash, me qëllim të rikthimit gradual të qarkullimit të udhëtarëve në fushën e aviacionit civil.

Si rrjedhojë, më 20 maj 2020 EASA dhe ECDC kanë hartuar një material udhëzues për menaxhimin e kthimit gradual të qarkullimit të udhëtarëve në aviacionin civil.

“Krahas kthimit gradual të qarkullimit të udhëtarëve në aeroporte, të sigurohet që të kufizohet në maksimum mundësia e përhapjes së infeksionit me SARS-Cov 2, duke pasur në vazhdimësi në qendër të vëmendjes ruajtjen e shëndetit publik në përgjithësi dhe ruajtjen dhe mbrojtjen e shëndetit dhe të sigurisë në punë të punëtorëve në hallka të ndryshme të sektorëve të industrisë së aviacionit civil, në veçanti”, thuhet në komunikatë.

Në grupin e masave të rekomanduara, përfshihen masat si në vijim, por pa u kufizuar vetëm në:

– Menaxhimin e fluksit të udhëtarëve prej pikës së nisjes A, deri në pikën e mbërritjes B në destinacionin e përcaktuar;

– Minimizimi i kontakteve në mes të udhëtarëve në hyrje të terminalit, ku rekomandohet që secili udhëtar të hyjë i vetëm në terminal, me përjashtim të rasteve të veçanta të personave që kërkojnë asistencë për lëvizje dhe të personave të moshës jomadhore, të cilët mund të shoqërohen me vetëm një person të rritur, deri në Check-In;

– Mbajtja e obliguar e maskave gjatë gjithë kohës së udhëtimit, nga pika A në pikën B, të cilat ndërrohen çdo katër orë, në rast të relacioneve më të gjata të fluturimit;

LEXO EDHE:  Edhe Zvicra vendos masën e vetizolimit prej 10 ditësh për kosovarët

– Furnizimi i terminaleve me tretësira me bazë alkooli ose me xhel dezinfektues të duarve dhe pastrimi i rregullt me to i sipërfaqeve që janë kontakt më të shpeshtë të udhëtarëve (p.sh: tavolinave të Check-In, mbajtëseve të karrocave të bagazheve, shiritave transportues të bagazheve, aparateve për self Check-In të boarding,-passave dhe bagazheve etj.);

– Stimulimi i kryerjes së veprimeve pa kontakt fizik të pasagjerëve gjatë përgatitjes për nisje, si p.sh. kryerja e check-in elektronik para arritjes në terminal ose kalimi në portë para nisjes përmes skanimit të boarding pass-it në rrezen laserike në portë, pa kontakt fizik, përmes aplikacioneve specifike të instaluara në telefona të mençur etj.;

– Shënjimi në terminal i mbajtjes së detyrueshme të distancës fizike prej së paku 1.5 m ndërmjet pasagjerëve, sidomos në pika ku parashikohet përqëndrim më i lartë i tyre (psh para tavolinave të check-in, para portave në nisje etj.);

– Promovimi i mesazheve vetëdijesuese të dukshme për pasagjerët, qoftë në formë të video ose audio mesazheve, posaçërisht në pjesët e terminalit me fluks të shtuar të pasagjerëve apo në formë të video/audio mesazheve në aeroplan apo në formë të fletëpalosjeve në xhepat e pasme të ulëseve të pasagjerëve. Në çdo rast, përparësi u jepet mesazheve vetëdijesuese me përmbajtje infografike video nëpër ekrane të mëdha, në krahasim me mesazhet në formë audio apo të shkruara.

Të gjitha këto masa reflektojnë nivelin e njohurive aktuale të shkencës mjekësore në lidhje me virusin corona, pra ato mund të ndryshojne dhe të përditësohen, në varësi të njohurive të reja që mund të fitohen ndërkohë, qoftë sa i përket parandalimit, trajtimit apo diagnostikimit të shkaktarit të COVID-19.