Dimri po vjen / Kurti tregon se si do të përballojë Kosova krizën me ushqim dhe energji

08.08.2022

Kurti ka shtuar se është e qartë që me gjenerimin e tyre, me termocentralet, Kosova A, Kosova B, dhe me burimet e ripërtërishme, nuk mund ta mbulojnë pikun e muajit dhjetor dhe janar, e mbase edhe muajve të tjerë. I pari i Qeverisë së Kosovës theksoi se po përpiqen që ta minimizojnë edhe si sasi […]

Dimri po vjen / Kurti tregon se si do të përballojë Kosova krizën me ushqim dhe energji Foto: Ilustrim

Kurti ka shtuar se është e qartë që me gjenerimin e tyre, me termocentralet, Kosova A, Kosova B, dhe me burimet e ripërtërishme, nuk mund ta mbulojnë pikun e muajit dhjetor dhe janar, e mbase edhe muajve të tjerë.

I pari i Qeverisë së Kosovës theksoi se po përpiqen që ta minimizojnë edhe si sasi të importuar, dhe si çmimi për atë import.

“Është e qartë që me gjenerimin tonë, me termocentralet, Kosova A, Kosova B, dhe me burimet e ripërtërishme, ne nuk mund ta mbulojmë pikun e dhjetorit dhe të janarit, e mbase edhe të muajve tjerë. Andaj, ne po përpiqemi që ta minimizojmë edhe si sasi të importuar, edhe si çmim për atë import”, deklaron Kurti në një intervistë për REL.

Ai është pyetur nëse mund të ketë reduktime, dhe nëse pritet të jetë një dimër i vështirë për konsumatorët.

“Ka krizë Gjermania, ka krizë Italia. Janë duke iu kthyer qymyrit. Pra, është situatë e paparë në disa rrafshe, që nga rënia e Murit të Berlinit, e në disa rrafshe që nga Lufta e Dytë Botërore. Andaj, çka varet prej situatave të ardhshme në kontinentin tonë, e që do ta pësojmë edhe ne, nuk është kollaj e parashikueshme sot”, thotë Kurti.

Ai thekson se është në kontakt të vazhdueshëm me kryeqendrat evropiane në kohën kur është  përmendur një krizë ushqimore e mundshme për shkak të situatës në Ukrainë.

“Shpresojmë që furnizimi i Evropës me grurë, edhe çmimet e energjisë, nuk do të jenë të tilla që do të na krijojnë gjendjen më të rëndë në kontinentin tonë që nga Lufta e Dytë Botërore. Por, një skenar i tillë i errët, me siguri që imagjinohet në kryeqendrat evropiane dhe ato i dizajnojnë politikat e tyre evropiane. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me to”, shprehet Kurti.

Sipas tij, Kosova më tepër rrezikohet nga çmimi i lartë i energjisë sesa nga mungesa e ushqimeve bazë.

“Pra, besoj që çmimet e larta të energjisë, sidomos për shkak të shantazhit me gazin rus të vendeve të Bashkimit Evropian, do të jenë më të rënda për t’i përballuar, sesa furnizimi me ushqimin bazë. Por, sërish, nuk i dihet. Është e vështirë të flitet në muajin gusht për muajt dhjetor e janar”, deklaron Kurti.