Procesi ka mbetur i bllokuar në pikën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, ka propozuar Albulena Haxhiun për këtë post, por kandidatura e saj nuk është mbështetur nga partitë opozitare.

Seanca e fundit, e mbajtur të shtunën në ora 11:00, nuk arriti të sigurojë kuorumin e nevojshëm për zgjedhjen e kryetarit dhe për formimin e komisionit zgjedhor për votim të fshehtë. Nga 82 deputetë të pranishëm, vetëm 43 morën pjesë në votim duke votuar pro, ndërkohë që pjesa tjetër nuk mori fare pjesë në procesin e votimit.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, bëri të ditur se seanca e radhës do të mbahet të martën, më 15 korrik, në ora 11:00.

Partitë opozitare – PDK, LDK, AAK, Nisma dhe Lista Serbe – vazhdojnë të mos propozojnë anëtarë për komisionin e votimit, duke bllokuar kështu procedurat e mëtejme të konstituimit.

Çështja ka qenë edhe objekt shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka dhënë një aktgjykim mbi mënyrën e konstituimit. Megjithatë, interpretimet e ndryshme nga subjektet politike kanë penguar zbatimin e vendimit në praktikë.

Sipas këtij aktgjykimi, legjislatura e nëntë ka afat njëmujor për t’u konstituuar, afat ky që përfundon më 26 korrik. Deri atëherë, mbetet e paqartë nëse palët politike do të arrijnë një marrëveshje për tejkalimin e krizës.

Ngërçi aktual po ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e institucioneve të vendit, ndërsa zgjidhja e situatës mbetet ende në pikëpyetje.