Dështimi i seancës konstituive, Kuvendi i Kosovës: Ndërprerja u bë me qëllim që të njoftohet presidentja për hapat e mëtejmë
Seanca konstituive e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e thirrur sot me dekret të Presidentes Vjosa Osmani, është ndërprerë pa arritur të miratohet raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve.
Seanca nisi punimet nën drejtimin e deputetit më të vjetër, Avni Dehari nga Vetëvendosje, i asistuar nga deputetja më e re, Sala Jashari nga Partia Demokratike e Kosovës. Në sallë ishin të pranishëm edhe ambasadorë dhe përfaqësues të tjerë të misioneve diplomatike në vend.
Kryesuesi Dehari fillimisht uroi deputetët për mandatin e ri dhe përshëndeti të pranishmit, duke kaluar më pas në rendin e ditës. Një nga pikat e para ishte formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve. Të gjitha partitë politike propozuan nga një anëtar, propozim ky që u votua dhe u miratua nga Kuvendi.
Pas mbledhjes së komisionit, raportin e tij e prezantoi deputeti Artan Abrashi. Ai njoftoi se raporti kishte marrë shumicën e votave në komision. Megjithatë, kur raporti u hodh në votim në seancë plenare, ai nuk arriti të marrë mbështetjen e nevojshme. Nga votimi rezultoi se 52 deputetë votuan pro, 46 kundër, ndërsa 11 abstenuan.
Ky rezultat bëri që raporti të mos miratohej, duke krijuar një situatë të paprecedentë në procesin e konstituimit të Kuvendit. Pas konsultimeve me përfaqësuesit e subjekteve politike, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi zyrtarisht ndërprerjen e seancës.
Në njoftimin e lëshuar nga Kuvendi i Kosovës thuhet se ndërprerja e seancës u bë me qëllim që të njoftohet Presidentja e Republikës së Kosovës për hapat e mëtejmë që do të ndërmerren në këtë situatë të krijuar.