Deri në 5 zëvendësministra për ministri në Qeverinë Hoti, pritet rritje e numrit

03.07.2020

Sot bëhet një muaj nga zgjedhja e Qeverisë Hoti, brenda së cilës periudhë janë emëruar 46 zëvendësministra në kuadër të 16 ministrive. Numri i zëvendësministrave për ministri shkon nga një deri në pesë, por që ky numër pritet të rritet duke pasur parasysh që si proces nuk është përmbyllur ende. Nga numri i përgjithshëm i […]

Deri në 5 zëvendësministra për ministri në Qeverinë Hoti, pritet rritje e numrit Foto: Ilustrim

Sot bëhet një muaj nga zgjedhja e Qeverisë Hoti, brenda së cilës periudhë janë emëruar 46 zëvendësministra në kuadër të 16 ministrive. Numri i zëvendësministrave për ministri shkon nga një deri në pesë, por që ky numër pritet të rritet duke pasur parasysh që si proces nuk është përmbyllur ende.

Nga numri i përgjithshëm i zëvendësministrave të emëruar, vetëm 7 janë gra apo 15% dhe 39 burra apo 85%. Për më tepër, vendimet e Qeverisë për emërimin e këtyre zëvendësministrave nuk janë publike, si dhe emrat e tyre nuk janë publikuar në ueb faqet zyrtare të ministrive përkatëse.

Gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, LDK përmes kandidates së saj për kryeministre, ka nënshkruar Deklaratën e Zotimeve për Qeverisje të Mirë të hartuar nga Demokraci Plus. Përmes kësaj deklarate, LDK është zotuar në kufizimin e numrit të zëvendësministrave në maksimumi dy për ministri. Ky ka qenë edhe premtim elektoral, të cilin kërkojmë nga LDK si udhëheqëse e Qeverisë që t’i përmbahet.

Kufizimi i numrit të zëvendësministrave, përveçse do të reduktojë shpenzimet financiare në këtë kohë të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19, ne besojmë se do të ndikojë edhe në rritje të efikasitetit të qeverisë, eliminimit të praktikës së punësimeve klienteliste, dhe vet ruajtjes së integritetit të pozitës së zëvendësministrit e cila po devalvohet nga emërimet e personave të pakualifikuar dhe mbipopullimit.

Në këtë drejtim, Democracy Plus kërkonë që:
• Të mos emërohen më shumë se dy zëvendësministra për ministri;
• Të mos ketë zëvendësministra nga subjekti politik i njëjtë me ministrin;
• Të mos ketë zëvendësministra nga i njëjti subjekt politik brenda një ministrie;
• Zëvendësministrat të kenë portofol të caktuar;
• Zëvendësministrat të jenë persona me integritet të lartë profesional dhe moral;
• Të garantohet përfaqësim i barabartë gjinor në pozitat e zëvendësministrave;
• Të publikohen me kohë të gjitha vendimet për emërime të zëvendësministrave;
• Të azhurnohen të gjitha ueb faqet e ministrive me emrat dhe të dhëna biografike për zëvendësministrat.