Dimal Basha Deputeti i VV’së: Nëse LDK ndjek shembullin e Ibrahim Rugovës, nesër bëhemi me qeveri

Foto: Lëvizja Vetëvendosje (LVV)

Janë bërë më shumë se 3 muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku fituese e këtyre zgjedhjeve doli Lëvizja Vetëvendosje duke lënë pas Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

LVV kishte filluar bisedimet me LDK-në që nga përfundimi i zgjedhjeve duke negociuar për marrëveshje për bashkëqeverisje, por deri më tani këto bisedime nuk kanë rezultuar me sukses.

Ndërsa sot në 14 vjetorin e vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugovës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka thurrur lëvdata për figurën e tij.

Basha përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Rugova ka qenë burrë i urtë dhe i mençur që ka parë përtej personave.

“Rugova ka ekzistu kur Kosova s’ka pas parti. Rugova ka udhëheq kur Kosova s’ka pas lider. Rugova ka pleqnu kur Kosovës ju ka mohu kuvendi. Rugova ka fol kur Kosovës me dhunë ju ka mbyll goja. Rugova ka hap rrugë kur Kosovës ju kishin mbyll krejt dyert. Rugova ka qenë burrë i urtë dhe i mençëm që ka pa përtej personave. Vizioni i tij ka qenë vendi e populli, jo egot e individëve”, ka shkruar Basha.

Sipas Dimal Bashës nëse Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e përcjell shëmbëlltyrën e Rugovës atëherë nesër do të bëhej qeveria.

“Sot nëse LDK synon të përcjell shembëlltyrën e Rugovës, ne që nesër bëhemi me qeveri”, ka shkruar deputeti i VV-së.

Shkrimi i plotë i Bashës në Facebook:

Pak fjalë për Rugovën.

Rugova ka ekzistu kur Kosova s’ka pas parti. Rugova ka udhëheq kur Kosova s’ka pas lider. Rugova ka pleqnu kur Kosovës ju ka mohu kuvendi. Rugova ka fol kur Kosovës me dhunë ju ka mbyll goja. Rugova ka hap rrugë kur Kosovës ju kishin mbyll krejt dyert. Rugova ka qenë burrë i urtë dhe i mençëm që ka pa përtej personave. Vizioni i tij ka qenë vendi e populli, jo egot e individëve.

Çka ka shumë rëndësi me kuptu është se puna dhe vepra e tij nuk i ka taku dhe nuk i takon asnjë partie, fisi, e klani. Krejt veprat që i ka ba dhe i ka lënë pas kanë qenë për vendin dhe popullin e Kosovës. Prandaj, Rugova nuk i takon askujt dhe asnjë partie, por i takon veq popullit dhe një historie të lavdishme të Kosovës.

Rugova ka qenë vërtet institucionalist dhe ka ndihmu në ndërtimin e shtetit që e gëzojmë. Mirëpo ata që thirren në emër të tij nuk janë shembull nëse në ndërtim të shtetit kërkojnë rrënimin e institucioneve. Nuk ndërtohen kala duke rrënu kulla.

Sot nëse LDK synon të përcjell shembëlltyrën e Rugovës, ne që nesër bëhemi me qeveri.