Deputetët pritet të mblidhen përsëri sot, nga ora 11:00, për të vazhduar seancën e 27-të me radhë, në një përpjekje të re për të kapërcyer bllokadën.
Gjatë seancës së djeshme, kryesuesi i saj, z. Dehari, ftoi edhe një herë subjektet politike parlamentare që ende nuk kanë propozuar deputetët për anëtarë të komisionit zgjedhor – konkretisht PDK-në, LDK-në, Listën Serbe dhe AAK-Nisma-n – që ta bëjnë këtë. Megjithatë, as kësaj radhe nuk pati propozime nga partitë e lartpërmendura. Për përbërjen e komisionit me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, votuan 53 deputetë pro, një kundër, ndërsa nuk pati abstenime.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, ka folur në RTK rreth dështimit të konstituimit të Kuvendit. Ajo theksoi se problemi nuk qëndron te kandidatura e Albulena Haxhiut për Kryetare të Kuvendit, por te mungesa e votimit për krijimin e komisionit që do të mundësonte votimin e fshehtë. Bogujevci shpjegoi se votimi i fshehtë është një mekanizëm i përdorur edhe në vende të tjera demokratike për të tejkaluar situatat kur nuk ka konsensus për votimin e hapur.
Sipas saj, partia fituese (Vetëvendosje) ka ndërmarrë të gjithë hapat e mundshëm për të dalë nga situata e krijuar, por ka hasur në një bllokadë të vazhdueshme nga opozita, e cila po refuzon të votojë komisionin për votimin e fshehtë.
Bogujevci, ndër të tjera, preku edhe temën e marrëveshjes politike që i është ofruar Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ajo deklaroi se votuesit e LDK-së mbështesin më shumë një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje sesa me partitë e tjera. Më tej, Bogujevci theksoi se ekzistojnë zëra brenda partive opozitare që janë të interesuar të votojnë dhe të ecin përpara, duke sugjeruar se votimi i fshehtë do ta mundësonte këtë dhe do ta zgjidhte situatën aktuale.