Dënohet me 15 vite burg I.H, rrahu për vdekje gruan e tij në Samadrexhë

16.01.2023

Gjykata Themelore në Prizren, të hënën, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Ilir Haxhiaj, duke e dënuar me 15 vjet burgim efektiv për akuzën se ushtroi dhunë në ditën kur i vdiq bashkëshortja. Haxhiaj akuzohej se pas mosmarrëveshjeve të mëhershme me bashkëshorten e tij H.D, teksa kishte qenë duke vozitur, kishte ndalur makinën, kishte […]

Dënohet me 15 vite burg I.H, rrahu për vdekje gruan e tij në Samadrexhë Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Prizren, të hënën, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Ilir Haxhiaj, duke e dënuar me 15 vjet burgim efektiv për akuzën se ushtroi dhunë në ditën kur i vdiq bashkëshortja.

Haxhiaj akuzohej se pas mosmarrëveshjeve të mëhershme me bashkëshorten e tij H.D, teksa kishte qenë duke vozitur, kishte ndalur makinën, kishte nxjerrë nga vetura me forcë tani të ndjerën dhe kishte filluar ta sulmojë fizikisht duke e grushtuar në të gjitha pjesët e trupit dhe pasi tani e ndjera ishte rrëzuar në asfalt të rrugës, ia ka kapur kokën dhe disa herë e ka goditur për asfalti. Më pas, H.D., kishte vdekur në QKUK.

Njoftimi i plotë:

Prizren, 16 janar 2023 – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda (trupi gjykues, Ajser Skenderi– Kryetare, dhe anëtarët Raima Elezi, dhe Kymete Kicja ka shpallur aktgjykim DËNUESndaj të akuzuarit I.H.,, për shkak se:

ËSHTË FAJTOR

Se i ka shkaktuar lëndim të rëndë trupor personit tjetër, deri në masën e tillë sa që ka rezultuar përveç rrezikimit të jetës edhe në vdekjen e personit tjetër, në atë mënyrë që me dt. 31 maj 2019, rreth orës 17:30 min. duke drejtuar veturën e tipit “………”, me ngjyrë hiri me një targë përpara ……… në rr. “Gusia”, në dalje të fshatit Samadrexhë, në rrugën “Avni Hodaj, rreth 400 metra larg rrugës kryesore Suharekë-Rahovec, ku ishte me bashkëshorten e tij, tani të ndjerën H.D., të ulur mbrapa karriges së vozitësit, me të cilën për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme janë fjalosur, e pastaj e ka ndal automjetin në anën e djathtë të rrugës në drejtim të lëvizjes, të njëjtën me forcë e nxjerr jashtë dhe kur dalin jashtë në anën e djathtë të veturës, atëherë fillon ta sulmoj fizikisht duke e grushtuar nëpër të gjitha pjesët e trupit dhe kur tani e ndjera është rrëzuar në asfalt të rrugës, ia kap kokën dhe disa herë e godet për asfalti, ku për rrjedhojë pëson thyerje të kockës zverkore, gjakderdhje masive në cipat e buta trunore, në indin trunor dhe në vertikuj, të cilat dëmtime kanë shkaktuar trauma të shumëfishta në kokë, fytyrë, gjoks, shpinë dhe duar,

lëndime këto të konstatuara në raportin e autopsisë nga Dr.F.B., ekspert mjeko-ligjor nga të cilat lëndime më vonë ajo vdes, në QKUK në Prishtinë me datën 15.06.2019.

-Këso dore ka kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor nga neni 186 par.5 lidhur me par.1  të KPRK.

Andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale,  të akuzuarin e GJYKON:

  • DENIM ME BURGIM NË KOHËZGJATJE PREJ 15 (pesëmbëdhjetë) VITESH

Trupi gjykues ka vlerësuar se nuk ka qenë kontestuese se i akuzuari me të ndjerën vazhdimisht kanë pasur mosmarrëveshje, pasi që edhe dëshmitarët dhe vet i akuzuari ka deklaruar këtë fakt, andaj për Gjykatën është fakt i pa kontestuar se në vazhdimësi ndaj të ndjerës nga ana e të akuzuarit ka pasur maltretime dhe keqtrajtime fizike e psiqike.

Sipas udhëzimeve të Gjykatës Supreme, në rigjykim është bërë ri konstruktimi i vendit të ngjarjes.

Gjykata i’a fali besimi  konstatimit të ekspertit komunikacionit se rasti nuk ka mund të jetë aksident i komunikacionit, me rastin e lëndimeve të pësuara nga e dëmtuara.

Pas shpalljes së aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar.

Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

SHËNIM: Gjykata Themelore në Prizren, me datë 03 shkurt 2021, të akuzuarin I.H., për veprën penale si më lartë e kishte dënuar me 15 vite burgim.

Pas ankesave në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit dhe aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë e kishte vërtetuar.

Gjykata Supreme, ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, dhe ka kthyer rastin në rigjykim në Gjykatën Themelore në Prizren.