Delegacioni i BQK-së u prit në takim në Ambasadën e Kosovës në Bruksel

28.02.2024

Delegacioni i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës është pritur në takim nga Shefi i Misionit, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës për marrëdhënie me NATO-n, Astrit Zemaj, ku është biseduar për aktualitetet në sistemin financiar të vendit.

Delegacioni i BQK-së u prit në takim në Ambasadën e Kosovës në Bruksel Foto: Ilustrim

Në njoftimin e BQK-së, thuhet se gjatë këtij takimi është diskutuar edhe lidhur me aktivitetet e BQK-së në kuadër të projektit të BE-së për Modernizimin e Sistemit të Pagesave të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përkatësisht anëtarësimit në Zonën e Vetme të Pagesave të BE-së, çështjen e përpjekjeve për Kartonin e Gjelbër, si dhe adresimin e çështjeve që lidhen me plafromat globale të pagesave.

Gjithashtu, u njoftua lidhur me avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative sipas direktivave të BE-së dhe standardeve më të larta ndërkombëtare.

Në njoftim, thuhet se ambasadori Bajrami shprehu mbështetjen e tij për të kontribuuar në proceset e rëndësishme integruese dhe përafrim të legjislacionit me Bashkimin Evropian.