DASH pas ujdisë për pranim të migrantëve të dëbuar nga SHBA: Jemi falënderues ndaj partnerit tonë Kosovës
Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka përshëndetur vendimin e qeverisë së Kosovës për të ofruar mbrojtje të përkohshme për 50 persona nga shtete të treta, si pjesë e një bashkëpunimi të rëndësishëm me Shtetet e Bashkuara.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se qëndrimi i këtyre personave në Kosovë, të cilët më pas do të kthehen në vendet e tyre të origjinës, do të menaxhohet dhe koordinohet nga Ministria e Punëve të Brendshme. Vendimi është miratuar dje në Qeverinë e Kosovës.
DASH e cilësoi këtë vendim si një bashkëpunim kyç për prioritetet e administratës së Presidentit Trump. “Jemi mirënjohës ndaj partnerit tonë Kosovë për pranimin e shtetasve të vendeve të treta të larguar nga Shtetet e Bashkuara dhe për lehtësimin e kthimit të sigurt të këtyre personave në vendet e tyre të origjinës,” thuhet në deklaratën e DASH për CBS News.
Detajet e plota rreth identitetit dhe origjinës së personave që do të dërgohen në Kosovë mbeten ende të paqarta. Megjithatë, dihet se SHBA përdor shpesh marrëveshje të tilla me vende të treta për të deportuar emigrantë që nuk mund të kthehen në vendet e tyre për shkak të mosbashkëpunimit diplomatik apo arsyeve të tjera të sigurisë.