DASH i quan falsifikime shkrimet për shkarkimin e Escobarit, thonë se në javët në vijim ai merr detyrë tjetër

06.05.2024

Departamenti Amerikan i Shtetit e ka konfirmuar se Zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit dhe emisari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili ka shërbyer si diplomat karriere në Shërbimin e Jashtëm për tri vite, pritet të marrë detyrën e tij të ardhshme në javët në vijim.

DASH i quan falsifikime shkrimet për shkarkimin e Escobarit, thonë se në javët në vijim ai merr detyrë tjetër Foto: Ilustrim

Nga DASH kanë demantuar pretendimet e publikuara në një web-faqe duke i kualifikuar si të rreme, dhe kanë konfirmuar se Escobar nuk është shkarkuar nga pozita e tij, por se thjeshtë si të gjithë zyrtarët e karrierës që janë pjesë e Shërbimit të Jashtëm do të ndërrojë detyrën e tij me rotacion, çdo katër vjet, si një praktikë e rregullt

“Pretendimet e bëra nga Vudi Xhymshiti janë vërtet të rreme. Zëvendës Ndihmës Sekretari Gabriel Escobar nuk është shkarkuar nga posti i tij. Të gjithë oficerët e Shërbimit të Jashtëm në karrierë i ndërrojnë detyrat me rotacion çdo një deri në katër vjet si një praktikë e rregullt. Si oficer karriere i Shërbimit të Jashtëm, Zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar ka shërbyer në rolin e tij aktual për tre vjet dhe pritet të kalojë gjatë në detyrën e tij të ardhshme në javët e ardhshme. Deri në tranzicionin e tij të planifikuar, ai mbetet në rolin e tij si Zëvendës Ndihmës Sekretari dhe i Dërguari Special në zyrën e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike si dhe i Dërguari Special për Çështjet e Ballkanit Perëndimor.”

Nga DASH kanë thënë po ashtu se pronari i web-faqes “Frontliner”, Vudi Xhemshiti “ ka bërë një sërë qëndrimesh online për Escobar që janë gjithashtu vërtet të rreme”.

Tutje ky zëdhënës i DASH ka demantuar pretendimet e publikuara në web-faqen që menaxhohet nga Xhymshiti rreth gruas së Gabriel Escobar duke konfirmuar “se gruaja e Escobarit asnjëherë s’ka marrë fonde nga Ministria e Jashtme e Serbisë”

Gjithashtu ky zëdhënës ka thënë se Gabriel Escobar s’ka asnjë lidhje familjare me “partnerin e supozuar të firmës ligjore nga Teksasi McGinis Lochridge LLP”.

“Ne inkurajojmë gazetarët që të verifikojnë faktet përpara se të shpërndajnë thashetheme të pabaza dhe ofenduese”, ka thënë për Express zëdhënësi i DASH.

“Në përgjithësi, ne e dimë se dezinformimi përbën një kërcënim të jashtëzakonshëm për shoqëritë demokratike. Ai helmon diskursin social, përkeqëson ndarjet dhe përfaqëson një kërcënim të sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët dhe partnerët tanë”.

Në fund, raportohet se zëdhënsi i DASH-it ka thënë se SHBA-ja përkrah fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE si rrugë për të arritur paqe dhe një raport produktiv në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm Dialogun e lehtësuar nga BE-ja si rrugë për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe produktive ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne jemi plotësisht të lidhur me partnerët tanë evropianë dhe do të vazhdojmë të luajmë një rol aktiv në mbështetje të Dialogut”.