Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se do ta zbatojnë vendimin e Gjykatës Supreme lidhur me numërimin e 4639 fletëvotimeve të votuesve jashtë Kosovës, në zgjedhjet e 6 tetorit.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ka theksuar të enjten se nuk mund të komentojë vendimin e Supremes pasi “KQZ e ka për obligim ta zbatojë vendimin”.
Këto vota është thënë të kenë mbërritur në Kosovë me vonesë, për shkak të problemeve në trafikun ajror.
Kjo vonesë kishte shtyrë fillimisht KQZ-në që këto vota të mos i marrë parasysh. Por, ishte Lëvizja Vetëvendosje ajo e cila i ishte drejtuar Gjykatës Supreme për ankesë.
“Tashmë e kemi një aktgjykim të Gjykatës Supreme dhe në bazë të këtij aktgjykimi ne jemi obliguar t’i numërojmë fletëvotimet e votuesve jashtë Kosovës. Mendoj që s’ka nevojë me komentu këtë aktgjykim. Kemi obligimin dhe nuk besoj që kemi çka me shtu sa i përket këtij aktgjykimi. Na pëlqeu, s’na pëlqeu, aktgjykimi tash është në duart tona dhe e kemi detyrim ligjor që ta zbatojmë ashtu qysh është. Me siguri që do ta zbatojmë. Unë nuk e komentoj asnjë aktgjykim të askujt, sidomos të gjykatave, meqenëse edhe vetë jam gjyqtare”, ka thënë Daka.