Një gjë e pazakontë dhe jo e mirë ka ndodhur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pasi që kanë ardhur zarfet nga Serbia, ku dyshohet ishin me helm dhe 26 zyrtarë të KQZ-së pas hapjes së zarfeve nga sheti serb u është shkaktuar alergji në duar e në fytyrë, si pasojë e kësaj këta zyrtarë përfunduan në QKUK.

Por ky proces i verifikimit të votave të ardhura nga Serbia është ndaluar dje për shkak të kësaj ngjarje ndërsa nga Komisioni Qendror Zgjedhor thuhet se ende nuk e kanë të qartë se çka saktësisht ndodhi të dielën.

Në mesin e 26 zyrtarëve të helmuar, dy prej tyre ishin edhe gra shatëzëna, ku gjatë ditës së djeshme kishin pësuar alergji nëpër duar dhe fytyrë, ku me ç’rast ishin shtruar në Klinikën Infektive të QKUK-së për trajtim mjekësor.

Në një komunikatë të lëshuar nga Shërbimi Spitalor, Klinik e Universitar i Kosovës (SHSKUK) është thënë se gjendja e përgjithshme e personave të hospitlizuar është stabile.

Sidoqoftë, pas tërë këtij rasti është marrë vendim që procesi i verifikimit të votave të pezullohet për një kohë të pacaktuar.

Përfaqësues të LVV-së kanë thënë se autoritetet shtetërore të Kosovës duhet t’i hetojnë shkaqet e helmimit, ashtu siç duhet të hetohen edhe pakot e ardhura nga Serbia.

Këto pako sipas tyre kanë ardhur në mënyrë të kundërligjshme në Kosovë.

Pavarësisht këtyre, zyrtarë të KQZ-së siguruan qytetarët se nuk do të preket integriteti zgjedhor, pavarësisht asaj që ndodhi të dielën, shkruan “Zëri”.

Në kohën kur është duke vazhduar procesi i rinumërimit të votave në disa vendvotime KQZ-ja ka marrë vendim që t’i refuzojë mbi 4500 pako me fletëvotime të ardhura nga diaspora.