Covid-19 në Rahovec, sot testohen 10 familjarë të personave të infektuar

20 persona nga komuna e Rahovecit janë konfirmuar deri më tani me COVID-19.

Rasti i fundit në këtë komunë u shënua mbrëmjen e së mërkurës. Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka treguar për Express se sot janë marrë 10 mostra të familjarëve të të infektuarve

Një person rreth moshës 39-vjeçare nga komuna e Rahovecit u konfirmua me COVID-19 mbrëmjen e së mërkurës.

Ai virusin e mori nga kontakti me babain, i cili po qëndron i shtrirë në Klinikën Infektive të QKUK’së.

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka dhënë detaje për këtë rast.

“Rasti që u konfirmua mbrëmë në komunën tonë është rast kontakti, përcjellës i prindit të vet i cili ka qenë në hemodializë dhe tani është në Klinikën Infektive pasi ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Prindi është i moshës rreth 77-vjeçare, nuk është në oksigjeno-terapi, por është i paralizuar”, ka thënë Latifi.

Latifi tha se sot janë marrë mostrat e 10 personave të dy familjeve që kanë pasur rastet e fundit me COVID-19 në komunën e Rahovecit.

“10 mostra janë marrë sot. Janë raste kontakti nga familja e këtij që ka dalë pozitiv mbrëmë dhe një pacienti tjetër në hemodializë që është konfirmuar parmbrëmë me COVID-19”, ka thënë Latifi për Express.

Ai shtoi se nga 20 personat e prekur me koronavirus në komunën e Rahovecit, deri më tani është shëruar vetëm 1 prej tyre.

Po ashtu, Latifi bëri të ditur se qytetarët po i respektojnë masat e vëna nga Qeveria e Kosovës, për kufizim të lëvizjes dhe qëndrim në shtëpi.

RAPORTO