COVID-19 në Malishevë, 57 të shëruar, 18 të tjerë ende po përballen me sëmundjen

76 persona janë konfirmuar me COVID-19 deri më tani në Malishevë. Nga ta janë shëruar 57, e 18 janë ende të prekur me virus, ndërkaq 1 ka vdekur nga kjo komunë.

Rastet e fundit në Malishevë u konfirmuan mbrëmjen e së mërkurës, ku 3 persona rezultuan pozitivë në testimet për koronavirus.

Kreu i kësaj komune, Ragip Begaj, ka thënë për Express se po gjurmohen kontaktet e të prekurve.

Malisheva ishte njëra ndër komunat e para të prekura me virusin COVID-19 në Kosovë.

Kjo komunë printe në listën e vendeve me më së shumti persona të infektuar.

Mirëpo, 57 persona nga Malisheva të cilët ishin prekur me virusin COVID-19 tashmë janë shëruar.

Kryetari Ragip Begaj tha për Express se rastet e fundit që rezultuan positive në Malishevë janë kontakte të personit i cili kishte qenë në dializë në Prizren dhe është konfirmuar me COVID-19 para pak ditësh.

“Rastet e mbrëmshme janë raste kontakti me qytetarin nga Malisheva i cili ka qenë në dializë në Prizren. Ai është konfirmuar me COVID-19 para 4-5 ditësh”, ka treguar Begaj.

Begaj tha se lajmi i mirë në Malishevë është se deri më tani nga 76 persona sa është totali i të prekurve në këtë komunë, 57 janë shëruar.

“Në total i kemi pasur 76 raste. Deri tani janë shëruar 57 persona, 18 janë ende duke u trajtuar ndërkaq fatkeqësisht 1 person ka vdekur”, tha Begaj.

Ai shtoi se në Klinikën Infektive të QKUK’së po trajtohen 4 banorë të Malishevës të cilët janë të prekur me COVID-19, ndërkaq 14 të tjerë po trajtohen nëpër shtëpitë e tyre.

RAPORTO